Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, shfrytëzoi një predikim të rrallë publik për të mbrojtur sulmin raketor të Iranit ndaj Izraelit më herët gjatë kësaj jave, duke thënë se sulmi ishte “legjitim” dhe “nëse duhet”, Teherani do ta sulmojë sërish Izraelin.
Duke folur edhe në farsi edhe në gjuhën arabe gjatë lutjeve të së premtes në Teheran më 4 tetor, Khamenei tha se Irani dhe bashkëpunëtorët rajonalë që mbështet nuk do të zmbrapsen karshi Izraelit, ndërsa frika për një konflikt të gjerë rajonal në Lindjen e Mesme është rritur, pas sulmeve të shumta ajrore dhe ofensivës tokësore të Izraelit në Liban.
Irani nuk do të “vonohet, apo nuk do të hezitojë të kryejë detyrën e tij” në konfrontimin e Izraelit, tha Khamenei, duke shtuar se breshëria e raketave që Irani gjuajti drejt Izraelit më herët gjatë kësaj jave, ishte veprim “legjitim”.
Adresimi i Khameneit u bë disa orë pas shpërthimeve masive që u shkaktuan nga sulmet ajrore izraelite në periferi të Bejrutit. Shpërthime të mëdha ndodhën në afërsi të aeroportit ndërkombëtar të Bejrutit, që gjendet pranë Dahiehas – një bastion në kryeqendrën libaneze i Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.
Ushtria izraelite nuk ka komentuar se kush ishte caku i sulmeve, por disa media dhe analistë kanë spekuluar se bazuar në vendndodhjen dhe madhësinë e sulmeve, caku mund të ketë qenë Hashem Safieddine, që gjerësisht konsiderohet si personi favorit për të marrë udhëheqjen e Hezbollahut. Ende nuk është e qartë nëse Safieddine është vrarë gjatë sulmeve.
Udhëheqësi paraprak i grupit, Hassan Nasreallah, u vra javën e kaluar kur Izraeli sulmoi nga ajri një qendër komanduese të Hezbollahut, grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërkaq Bashkimi Evropian ka në listën e tij të zezë krahun e armatosur të grupit, por jo edhe partinë politike, e cila ka ulëse në Parlamentin libanez.
Nisja e ofensivës tokësore izraelite në Liban më herët gjatë javës, ka rritur frikën se në Lindjen e Mesme do të shpërthejë një konflikt më i gjerë.
Këto shqetësime u rritën edhe më shumë pasi Teherani kreu një sulm masiv me raketa balistike ndaj Izraelit më 1 tetor. Ky ishte sulmi më i madh që Irani ka kryer ndaj Izraelit dhe ai u bë në shenjë hakmarrjeje për fushatën izraelite kundër Hezbollahut, që mbështetet nga Teherani.
Paraqitja e Khameneit më 4 tetor është e para në pothuajse pesë vjet që ai mban një fjalim gjatë një predikimi. Për herë të fundit kur ai kishte udhëhequr lutjet e së premtes ishte në janar të vitit 2020, pas një sulmi raketor iranian ndaj një baze ushtarake amerikan në Irak. Atëbotë, Teherani kishte thënë se sulmi ishte hakmarrje për vrasjen e komandantit iranian, Qasem Soleimani, gjatë sulmeve ajrore amerikane në Bagdad.
Mojata Najafi, analiste për çështjet iraniane me bazë në Paris, i tha Radios Farda të Radios Evropa e Lirë se fjalimi i Khameneit “nuk tha asgjë të re” dhe duket se kishte për qëllim “ngritjen e moralit të ndjekësve të tij dhe për të hequr frikën e një akti të mundshëm të terrorit nga Izraeli”.
“Edhe deklaratat e tij se Republika Islamike nuk do të hezitojë të hakmerret, nuk paraqesin asgjë të re. Kjo ka qenë politika e Republikës Islamike që nga nisja e krizës aktuale. Teherani po tenton të shmangë një luftë të përgjithshme”.
Izraeli ka kryer sulme ajrore edhe më 4 tetor, duke ndërprerë qarkullimin e një rruge afër Masana, ku gjendet një pikëkalim mes Libanit dhe Sirisë. Këtë rrugë e kanë përdorur qindra mijëra civilë libanezë në ditët e fundit për të ikur nga konflikti, sipas Ministrisë së Transportit të Libanit.
Ndërkaq, Izraeli ka thënë se po shqyrton opsionet se si t’i përgjigjet sulmit raketor të Iranit dhe për këtë po konsultohet me SHBA-në.
Hezbollahu dhe Izraeli kanë këmbyer zjarr pothuajse në baza ditore në zonën kufitare që nga tetori i vitit të kaluar, kur nisi lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.