Ndërlidhjet

Irani kryen valë të re sulmesh ajrore në Izrael gjatë natës, Netanyahu zotohet për sulme shtesë


Kjo pamje ajrore tregon ndërtesa të dëmtuara në një zonë të goditur nga një raketë e lëshuar nga Irani në qytetin izraelit Ramat Gan, pranë Tel Avivit, më 14 qershor.
Kjo pamje ajrore tregon ndërtesa të dëmtuara në një zonë të goditur nga një raketë e lëshuar nga Irani në qytetin izraelit Ramat Gan, pranë Tel Avivit, më 14 qershor.

Teherani e ka kryer një valë të re sulmesh raketore në Tel Aviv dhe qytete të tjera të Izraelit gjatë natës dhe mëngjesit të së shtunës. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua se ushtria e tij do të ndërmarrë sulme të mëtejshme kundër Iranit.

Raketat iraniane — dhe kundërajrorët nga sistemi i mbrojtës izraelite “Kupola e Hekurt” — e ndriçuan qiellin mbi Tel Aviv pas mesnatës. Disa raketa ranë dhe shpërthyen në ndërtesa. Haifa dhe Jerusalemi u sulmuan gjithashtu, thanë zyrtarët ushtarakë.

Të paktën tre njerëz u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga sulmet iraniane, sipas zyrtarëve të emergjencës.

Ndërkohë, ushtria izraelite njoftoi mëngjesin e së shtunës se po godiste dhjetëra raketahedhës në Iran, pasi paraprakisht e kishte shënjestruar mbrojtjen ajrore iraniane në rajonin e Teheranit.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit e paralajmëroi ashpër udhëheqësin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

“Nëse Khamenei vazhdon të hedhë raketa ndaj territoreve izraelite, Teherani do të digjet”, tha Israel Katz, pas një takimi me shefin e shtabit të ushtrisë.

Sulmet izraelite godasin qendra bërthamore dhe zyrtarë të lartë të Iranit
Sulmet izraelite godasin qendra bërthamore dhe zyrtarë të lartë të Iranit
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:00:55 0:00

Ndërkohë, përfaqësuesi i Iranit në OKB deklaroi se 78 njerëz u vranë dhe mbi 320 të tjerë u plagosën nga sulmet izraelite.

Televizioni shtetëror raportoi të shtunën se rreth 60 njerëz, përfshirë 20 fëmijë, u vranë nga një sulm izraelit mbi një kompleks banimi në Teheran.

Kjo është dita e dytë radhazi që Irani kryen sulme ajrore në Izraeli, si përgjigje hakmarrëse për një sulm shkatërrues që Izraeli i kreu një ditë më herët kundër objekteve të lidhura me programin bërthamor të Teheranit.

"Sirena u dëgjuan në disa zona të Izraelit pasi u identifikuan raketa nga Irani drejt shtetit të Izraelit", tha ushtria izraelite.

Nuk ka shenja se përleshjet e reja mes këtyre dy vendeve të Lindjes së Mesme do të ndalen.

Ushtria izraelite u bëri thirrje banorëve të kthehen në strehimoret kundërajrore, ashtu siç kishin bërë një ditë më parë.

Kjo valë e fundit bombardimesh erdhi pas një dite të vështirë me sulme ajrore nga të dyja palët. Forcat izraelite kanë vazhduar goditjet ndaj objekteve bërthamore dhe ushtarake në Iran, duke vrarë një gjeneral të lartë, zyrtarë të tjerë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë.

Liderët ndërkombëtarë kanë dënuar dhunën, por gjithashtu kanë bërë thirrje për përmbajtje.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e paralajmëroi Iranin të bëjë marrëveshje bërthamore “para se të jetë tepër vonë”, dhe Shtëpia e Bardhë tha se forcat tokësore amerikane kanë ndihmuar Izraelin për t’i rrëzuar raketat iraniane gjatë dy valëve të para.

Më herët, gjeneral izraelit Effie Defrin deklaroi se të dyja valët e raketave të premten përbëheshin nga rreth 100 raketa secila, “shumica e të cilave” u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore.

Ndërkohë, një nga objektivat në Iran që u godit ishte komanda e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Teheran, sipas televizionit shtetëror iranian. Sulmi vrau komandantin e Gardës, gjeneralmajor Hossein Salami, sipas zyrtarëve iranianë.

Bisedimet në Oman "të pakuptimta", sipas Teheranit

Zyrtarë iranianë dhe amerikanë kishin planifikuar të takoheshin në Oman më 15 qershor për një rund të ri negociatash lidhur me programin bërthamor të Iranit.

Teherani fillimisht hodhi poshtë një propozim amerikan që lideri suprem, Ayatollah Ali Khamenei, e përshkroi si “100 për qind kundër interesave kombëtare”, dhe zyrtarët iranianë thuhet se kanë qenë duke hartuar një kundërpropozim.

Irani ka pohuar vazhdimisht se përpjekjet e tij janë vetëm për qëllime civile dhe jo ushtarake.

Pas sulmeve izraelite, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei, i quajti bisedimet e planifikuara si “të pakuptimta”.

“SHBA-ja bëri një veprim që i bën bisedimet të pakuptimta”, tha Baghaei për televizionin shtetëror. Ai, megjithatë, nuk i shpalli zyrtarisht të anuluara bisedimet.

“Ende nuk është e qartë çfarë do të vendosim për bisedimet e së dielës”, citohet të ketë thënë ai nga faqja gjysmëzyrtare e lajmeve Mizan.

Trump, që po shtyn për negociata mes Uashingtonit dhe Teheranit mbi programin bërthamor iranian, shkroi në rrjetin e tij Truth Social: “Ka ende kohë që kjo masakër... të marrë fund. Irani duhet të bëjë një marrëveshje, para se të mos ketë më asgjë, dhe të shpëtojë atë që dikur njihej si Perandoria Iraniane... THJESHT BËJE, PARA SE TË JETË VONË”.

Më vonë, në një intervistë për ABC News, Trump tha se Irani “u godit aq fort sa mund të goditet. Dhe, pritet edhe më shumë, shumë më tepër”.

Në mes të sulmeve, Netanyahu deklaroi se lufta e tij nuk është me qytetarët iranianë dhe u bëri thirrje atyre të rrëzojnë “diktaturën brutale që ju ka shtypur për 46 vjet”.


Ushtria izraelite tha se rreth 200 avionë ishin përfshirë në sulmet masive mbi Iranin, dhe televizionet izraelite raportuan se agjencia e inteligjencës Mossad mund të ketë ngritur një bazë të fshehtë brenda Iranit.

Khamenei tha se Izraeli do të përballet me pasoja të rënda për shkak të këtyre sulmeve.

“Me këtë krim, regjimi sionist i ka përgatitur vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm dhe do ta marrë atë pa dyshim”, tha Khamenei në një deklaratë.

SHBA-ja, aleati më i ngushtë i Izraelit, mbrojti veprimet izraelite, por deklaroi se Uashingtoni nuk u përfshiri në sulme.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Izraeli ndërmori “veprim të njëanshëm kundër Iranit” dhe se Shtetet e Bashkuara nuk janë përfshirë.

Bombardimet ndodhen në prag të një rundi të ri bisedimesh bërthamore mes zyrtarëve amerikanë dhe iranianë.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë zhvilluar bisedime për programin bërthamor iranian, me synimin për të arritur një zgjidhje diplomatike. Rundi i gjashtë i bisedimeve është planifikuar të nisë më 15 qershor në Oman.

Emisari i posaçëm i Trumpit, Steve Witkoff, pritej të udhëtonte drejt Omanit për bisedimet me ministrin e Jashtëm iranian, ndonëse tani është e paqartë nëse takimi do të mbahet.

Irani: Programi bërthamor është për qëllime civile

Objekti i pasurimit të uraniumit në Natanz u godit “në disa raste,” raportoi televizioni shtetëror iranian, duke treguar pamje me tym të dendur që dilte nga objekti.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA) konfirmoi se Natanz ishte një nga objektivat, por tha se nuk kishte vërejtur nivele të rritura të rrezatimit.

Drejtori i IAEA-së Rafael Grossi, duke cituar zyrtarët iranianë, i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se pjesa mbi tokë e objektit në Natanz "është shkatërruar".

Sulme të tjera u raportuan edhe në objektin e pasurimit në Fordow, rreth 100 kilometra në juglindje të Teheranit, si dhe në një qendër kërkimore bërthamore në Isfahan.

Më 12 qershor, bordi i IAEA e miratoi një rezolutë, e cila deklaroi zyrtarisht se Irani i ka shkelur detyrimet e tij për mospërhapjen e armëve bërthamore.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG