Milad Bidi, anëtar i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, është vrarë gjatë sulmit ajror izraelit më 30 korrik që shënjestroi komandantin e lartë të Hezbollahut, Fuad Shukr në Bejrut të Libanit.
Duke konfirmuar vdekjen e tij, komandanti i Gardës Revolucionare, Hossein Salami, lavdëroi Bidin për “luftën e tij kundër regjimit kriminal dhe pushtues zionist”, duke iu referuar Izraelit, armikut të Iranit.
“Ai do të jetë inspirim për rininë tonë revolucionare”, tha Salami përmes një deklarate që u publikua në agjencinë e lajmeve Tasnim.
Bidi është anëtari i dytë i Gardës të Republikës Islamike që është vrarë në sulmet izraelite që nga bombardimi i Ambasadës iraniane në Damask më 1 prill. Në atë sulm mbetën të vrarë shtatë anëtarë të Garës iraniane, përfshirë dy gjeneralë.
Irani u kundërpërgjigj duke gjuajtur një numër të paprecedent të dronëve dhe raketave kundër Izraelit, teksa Teherani paralajmëroi se do t’i kundërpërgjigjej çdo sulmi izraelit ndaj interesave të tij në rajon.
Shukr dhe Bidi u vranë disa orë para se Ismail Haniyeh, liderit politik të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – u vra në Teheran.
Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha se Irani “e ka për detyrë” që të hakmerret për vrasjen e shefit politik të Hamasit. Për vrasjen e tij, Irani dhe aleatët e tij rajonalë kanë fajësuar Izraelin.
Të paktën 20 anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit janë vrarë në sulmet që dyshohet se janë kryer nga Izraeli në Siri dhe Liban që kur ka nisur lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë në tetor të vitit 2023.