Ndërlidhjet

Protesta e MEK-ut në Shqipëri: 36 të plagosur, sekuestrohen pajisje kompjuterike


Njerëz duke valëvitur flamuj në një ngjarje në kampin Ashraf-3, ku janë të strehuar pjesëtarët e opozitës iraniane në Shqipëri. Manzë, 13 korrik 2019.
Njerëz duke valëvitur flamuj në një ngjarje në kampin Ashraf-3, ku janë të strehuar pjesëtarët e opozitës iraniane në Shqipëri. Manzë, 13 korrik 2019.

Që në orët e para të mëngjesit të 20 qershorit, Policia e Shtetit në Shqipëri ka kryer kontrolle në mjediset ku janë të strehuar rreth 3.000 pjesëtarë të opozitës iraniane, në kampin e Manzës të Durrësit.

Sipas njoftimit, policia tha se kontrollet janë kryer me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK).

Përfaqësuesit e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), thanë se një person ka humbur jetën si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës nga policia.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi tha të martën në një konferencë për media se reagimi i iranianëve të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK) ishte i papranueshëm, i patolerueshëm dhe i dënueshëm.

“Ata janë ne Shqipëri sipas një marrëveshjeje që përcakton se nuk do të kryejnë aktivitete politike dhe as protesta, dhe janë strehuar vetëm për qëllime humanitare”, tha Çuçi.

Ai deklaroi se vdekja e një personi brenda MEK-ut, të martën, nuk ka asnjë lidhje me veprimet e policisë.

“Do të pritet ekspertiza mjeko-ligjore për këtë të moshuar dhe ju garantoj se asnjë person nuk është prekur me dorë gjatë operacionit të policisë”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, tha se mëngjesin e sotëm se, ka zhvilluar një takim me gjashtë drejtuesit kryesorë te iranianëve dhe ka gjetur mirëkuptim për kryerjen e kontrollit.

Ai tha se kur ka nisur kontrolli i të gjitha objekteve brenda kampit, kur u konstatuan paligjshmëri, salla serverash dhe pajisje kompjuterike, nisi rezistenca e anëtarëve të MEK.

“Është kaluar në përmbajtje ekstreme nga ana e policisë”, tha Rrumbullaku, duke shtuar se më pas është kaluar në përdorim të forcës vetëmbrojtëse.

Sipas tij, 15 punonjës policie janë lënduar, 21 anëtarë të MEK-ut, si dhe janë dëmtuar disa makina të policisë.

“Janë sekuestruar 96 njësi kompjuterike, rreth 50 laptopë dhe tableta, ndërsa disa shkresa u tentuan të digjeshin në momentin e ndërhyrjes”, tha Rrumbullaku.

Asnjë prej zyrtarëve nuk bëri të ditur se çfarë hetimi po kryen SPAK-u ndaj anëtarëve të MEK.

“Nuk kemi menduar të prishim marrëveshjen dhe dëbimin e tyre, po anëtarët e MEK-ut duhet të respektojnë ligjet e shtetit shqiptar, kush nuk i zbaton duhet të përgjigjen para drejtësisë”, tha ministri i Brendshëm.

“Prokuroria ka nisur disa çështje penale por nuk mund tu them përse dyshohen iranianët e MEK-ut”.

I pyetur nëse fshihen iranianët e MEK-ut pas sulmeve kibernetike që u kryen në korrik të vitit të kaluar, që çuan në prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Teheranin, ministri Çuçi refuzoi të përgjigjej.

Drejtori i Policisë së Shtetit tha se janë identifikuar të gjithë personat që kanë ushtruar dhunë ndaj policisë dhe për drejtuesit e kampit që nuk bashkëpunuan, do të ketë ndalime.

“Dokumentet e sekuestruara janë në gjuhën iraniane dhe do të kërkohet kohë për t’i përkthyer dhe ekzaminuar. Shumë shpejt do të paraqesim edhe pamje filmike”, tha drejtori i policisë.

Më 2013, autoritetet shqiptare janë pajtuar – me kërkesë të Shteteve të Bashkuara – që të pranojnë rreth 3.000 pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK).

Irani i konsideron pjesëtarët e kësaj organizate si terroristë. Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, pasi e fajësoi Iranin se qëndron prapa një sulmi kibernetik që ndodhi në korrik të vitit 2022.

Ndërkaq një vit më parë u anulua, për arsye sigurie nga kërcënime terroriste, Samiti Botëror i Iranit të Lirë, që do të mbahej më 23 dhe 24 korrik në “Ashraf 3” në Manzë të Durrësit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG