Ndërlidhjet

BE-ja vendos sanksione ndaj zyrtarëve të sigurisë së Iranit


Një protestuese në Paris, në mbështetje të protestave në Iran.
Një protestuese në Paris, në mbështetje të protestave në Iran.

Bashkimi Evropian ka sanksionuar ministrin e Informacionit të Iranit, policinë e moralit dhe zyrtarë të tjerë, lidhur me vdekjen e një gruaja të re, gjatë kohës sa ishte në mbajtje, por edhe për shtypjen e protestave mbarëkombëtare.

Blloku evropian publikoi listën e sanksioneve – ku përfshihen 11 persona dhe katër entitete – në gazetën zyrtare më 17 tetor.

Në mesin e të sanksionuarve janë zyrtarë të lartë nga policia e moralit të Iranit.

Teherani më 17 tetor u zotua se do të përgjigjej “menjëherë” ndaj sanksioneve të BE-së.

Irani do të “vendosë dhe do të veprojë menjëherë në përputhje me vendimet dhe veprimet” e ndërmarra nga shtetet e BE-së, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Naser Kanani.

“Nëse ata vendosin sanksione të reja, ky veprim definitivisht do të ishte jokonstruktiv dhe joracional”, shtoi ai, para se blloku të njoftonte për vendosjen e sanksioneve.

Mahsa Amini, 22 vjeçare, vdiq më 16 shtator në Teheran, tri ditë pasi ishte arrestuar nga policia e moralit, nën pretendimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës. Dëshmitarët thanë se ajo është rrahur nga policia.

Por, autoritetet thanë se vdekja e Aminit nuk ishte për shkak të goditjeve në kokë apo gjymtyrë, por nga një sëmundje. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga familjarët e Aminit.

Vdekja e Aminit ka nxitur protesta mbarëkombëtare në Iran.

Iran Human Rights, organizatë me bazë në Oslo, tha më 17 tetor se të paktën 2015 persona, përfshirë 27 fëmijë, janë vrarë gjatë shtypjes së protestave.

Javën e kaluar, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se “tani është koha që të sanksionojmë përgjegjësit” në Iran “për shtypjen e grave”.

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Kanadaja veçse kanë njoftuar për sanksione ndaj Iranit, për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Teherani akuzon SHBA-në dhe disa prej aleatëve të saj për nxitjen e protestave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG