Ndërlidhjet

Mbi një dekadë në Kosovë, investitori austriak synon të rrisë biznesin


Prishtinë. Prill, 2022.
Prishtinë. Prill, 2022.

“Është obligim i institucioneve të Kosovës që të punojnë më shumë në avancimin e shkathtësive në sistemin edukativ-arsimor”, thotë për Radion Evropa e Lirë Manfred Brandner, investitor austriak në Kosovë.

Brandner, drejtor i përgjithshëm i kompanisë “Bit Media” - anëtare e “EEE group” [e-edukimi, e-zgjidhje, e-qeverisje, me seli në Austri], ka arritur në Kosovë njëmbëdhjetë vjet më parë, për të investuar me firmën e tij në fushën e teknologjisë, përkatësisht informatikës.

Aktualisht ka të punësuar 35 punëtorë, por synon që në të ardhmen të rrisë numrin e tyre.

Brandner thotë se ajo që e ka tërhequr në Kosovë, është popullata relativisht e re e vendit. Mosha mesatare e popullsisë në Kosovë është 35 vjeç.

Manfred Brandner
Manfred Brandner

Brandner thotë se Kosova, si një shtet i ri, i pavarësuar 14 vjet më parë, ofron mundësi të mira për investitorët e huaj.

“Derisa në fillim kemi pasur të bëjmë me një imazh që nuk ka qenë pozitiv dhe është dashur të argumentojmë se përse synojmë të shkojmë në shtetin e Kosovës, tash nuk shtrohet fare ajo pyetje”, thotë Brandner.

Imazhi jo i mirë, siç thotë ai, lidhej me një shtet të dalë nga lufta, që mund të ishte i pasigurt për investitorët.

Por, me kalimin e viteve, ambienti i të bërit biznes në Kosovë është përmirësuar, thotë ai.

“Kur jeni duke jetuar vetë në një vend, ndoshta edhe nuk e shihini zhvillimin në të cilin po kalon ai vend. Meqenëse ne jetojmë në një vend tjetër dhe kemi bashkëpunim me shumë shtete anembanë botës, është mahnitëse të shohim se çfarë zhvillimi ekonomik ka pasur Kosova në këta 11 vjet”, thotë Brandner.

Sipas tij, Kosova ka arritur të krijojë një komunikim të mirë me investitorët e huaj ndërkombëtarë, por shton se vonesat në vendimmarrje për çështje që ndërlidhen me investitorët e huaj, vazhdojnë të jenë problematike.

“Nëse një problem për një investitor kërkon zgjidhje ose intervenim nga Qeveria, do të duhej të merrej vendim i shpejtë, sepse nganjëherë deri te vendimmarrja po kalon shumë kohë”, thotë ai.

“Për t’i mbajtur investitorët, duhet bërë që ata të ndihen mirë. Institucionet vendimmarrëse duhet t’iu japin përshtypjen se janë të mirëseardhur, të dëgjohen... Pastaj, nevojat e tyre të adresohen në mënyrë korrekte dhe të shpejtë. Në të kundërtën, investitorët mund të ftohen dhe të shkojnë diku tjetër”, thotë Brandner.

Ai e sheh si problematike “mospërgatitjen e të rinjve të diplomuar për tregun e punës”.

“Në këtë drejtim duhet të punojmë që të krijojmë sisteme, të cilat iu mundësojnë të rinjve të punojnë. Përvoja jonë është që të rinjtë në Kosovë janë të gatshëm të mësojnë dhe pasi aftësohen, punojnë me zell. Dhe, çka është më e rëndësishmja, ata vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë - së paku në fushën e teknologjisë në të cilën vepron kompania [jonë]”, thotë Brandner.

Kompania e tij, shton Brandner, është e angazhuar edhe në përmirësimin e sistemit edukativ arsimor në Kosovë.

Cilësia e arsimit në Kosovë është kritikuar shpesh në raportet apo testimet ndërkombëtare.

Investime në mësimin dual

Brandner tregon se në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe me përkrahje të Qeverisë së Luksemburgut, janë duke punuar për ofrimin e mësimit dual për disa profile të informatikës.

Mësimi dual është një sistem, në të cilin aftësimi në një kompani kombinohet me lëndë në një shkollë profesionale.

Ky mësim, thotë Brandner, do t’iu ofrohet nxënësve të moshës 15-18 vjeç.

“Këta nxënës do të përvetësojnë shkathtësi, të cilat janë të vlefshme si për vendin, ashtu edhe për kompanitë evropiane, që do t’i angazhojnë këta të rinj në kompanitë e tyre - këtu apo jashtë vendit”, thotë Brandner.

“Ne, si investitorë në Kosovë, planifikojmë të rritemi, të bëjmë një zyrë më të madhe, me më shumë punëtorë, në mënyrë që të arrijmë t’i përmbushim kërkesat tona”, thotë ai.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, investimet e huaja direkte në Kosovë në vitin 2021 kanë pasur vlerën e 421 milionë eurove - krahasuar me 345 milionë euro në vitin 2020 dhe 254.8 milionë euro në vitin 2019.

Nga shuma e investuar vitin e kaluar, 383.9 milionë euro kanë shkuar në sektorin e patundshmërisë.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, sektori i patundshmërisë sjell më së paku efekte në zhvillimin ekonomik dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës.

Brandner thotë se ky trend i investimeve duhet të ndryshohet përmes projekteve që duhet t’i bëjë Qeveria.

“Është detyrë e Qeverisë që të krijojë nisma, në mënyrë që diaspora kosovare - fondet e kursyera në shtetet ku jeton dhe punon - t’i investojë në projekte të qëndrueshme, të cilat mundësojnë pastaj eksportimin e shërbimeve jashtë, mundësojnë punësim, e të tjera”, thotë Brandner, për të shtuar se Kosova duhet të punojë edhe në kthimin e njerëzve të saj nga diaspora.

“Duhet të investohet në Kosovë, të rriten pagat dhe të ofrohet perspektivë për të rinjtë. Të rinjtë duhet të jenë optimistë për të ardhmen e tyre për të jetuar në Kosovë. Kjo bëhet duke i kthyer njerëzit nga jashtë dhe ata të investojnë në Kosovë”, thotë Brandner.

Investitori austriak thotë se është në biseda të vazhdueshme me kryetarë të komunave në Austri dhe me institucionet në Kosovë, për të nisur bashkëpunimin edhe në fusha të tjera, si: prodhim dhe agro-turizëm.

Këta dy sektorë, thotë ai, janë me potencial të madh në Kosovë.

Ai thotë se u bën thirrje edhe investitorëve të tjerë ndërkombëtarë që ta shohin Kosovën si një vend me potencial për investime.

“Ia vlen të investohet në Kosovë në sektorin e informatikës, aty ku ne jemi aktivë, pastaj në sektorin e bujqësisë, pasi që kjo do të jetë e rëndësishme. Do të jemi të detyruar të bëjmë prodhime afër vendeve tona [Austrisë] dhe Kosova është destinacioni i mirëfilltë”, thotë ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një takim të Odës Ekonomike Amerikane, më 24 mars, është zotuar se, në bashkëpunim me odat ekonomike që veprojnë në Kosovë, do të krijojë politika në favor të rritjes së hovshme dhe të qëndrueshme të investimeve të huaja direkte.

Ai ka thënë se është duke u shqyrtuar edhe mundësia e rekrutimit të atasheve ekonomikë në mbi njëzet vende të ndryshme në botë.

Më keq se disa vende të rajonit

Kosova, nëse krahasohet me vendet e rajonit, si Shqipëria dhe Serbia, ka shumë më pak investime të huaja.

Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim, në Serbi, në formë të investimeve të huaja gjatë vitit 2020, kanë hyrë 3.4 miliardë dollarë, ndërsa në Shqipëri janë investuar 1.1 miliard dollarë.

Si arsye për mungesë investimesh janë përmendur shpesh infrastrukturat e komplikuara ligjore dhe pasiguria energjetike.

Në një raport të publikuar në vitin 2020, Departamenti amerikan i Shtetit për Klimën e Investimeve ka thënë se “një nga problemet që e pengon shkuarjen e investitorëve të huaj në Kosovë është furnizimi jo i besueshëm me energji”.

Korrupsioni është përmendur, gjithashtu, si pengesë në raportet e Bankës Botërore për të bërët biznes.

Ndërsa, në raportin e sivjetmë të organizatës ndërkombëtare Transparency Internationl, të publikuar në janar, është thënë se Kosova ka shënuar përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit, por mbetet në mesin e vendeve që kanë nivel të lartë të korrupsionit.

Së voni, edhe presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier - vendit ku Kosova ka diasporë të madhe - ka rikujtuar rëndësinë e luftimit të korrupsionit dhe të krimit të organizuar në Kosovë.

Në një letër dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 14-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Steinmeier ka thënë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të jetë “një faktor qendror në krijimin e perspektivave për të rinjtë në Kosovë, në forcimin e ekonomisë, në investimet e reja, si dhe në hapjen e vendeve të reja të punës”.

Sipas të dhënave zyrtare, shkalla e papunësisë në Kosovë, në vitin 2021, ka qenë afro 26 për qind. Krahasuar me vitin paraprak, ajo ka pasur rritje për 0.8 për qind.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG