Kremlini e ka mohuar çfarëdo përfshirje në rrëzimin e avionit afër Moskës nga i cili besohet se u vra Yevgeny Prigozhin, shefi i grupit mercenar Wagner që u rebelua kundër presidentit rus Vladimir Putin, duke e nisur një kryengritje jetëshkurtër ndaj shefave kryesorë të ushtrisë së Rusisë për mënyrën sesi po e udhëheqin ata luftën në Ukrainë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, tha në një konferencë për media më 25 gusht se testet për identifikimin e 10 viktimave dhe një hetim për rrëzimin e avionit janë duke u kryer.
Putini e theu heshtjen të enjten mbrëma për aksidentin e 23 gushtit, duke folur për Prigozhinin në kohën e shkuar, si dhe i shprehu ngushëllime familjeve të atyre që vdiqën.
Emri i Prigozhinit ishte në listën e udhëtarëve të avionit, por ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse ai ka qenë në avion, i cili në mënyrë të mistershme u rrëzua në veri të Moskës.
Ministria e Brendshme e Britanisë së Madhe tha më 25 gusht se, derisa ende nuk ka “dëshmi definitive” se Prigozhini ishte në avion dhe ai njihet për ushtrimin e masave të jashtëzakonshme të sigurisë, “ka shumë gjasa që ai ka vdekur vërtet”.
“Ai [Prigozhin] ishte një njeri i talentuar”, tha Putin më 24 gusht, por gjithashtu shtoi se ai ishte “një njeri me fat të vështirë [i cili] kishte bërë gabime të rënda në jetë”.
“Ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet e të gjithë atyre që humbën jetën”, shtoi ai.
Putin nuk i specifikoi “gabimet” e bëra nga njeriu që vetëm dy muaj më parë udhëhoqi një rebelim jetëshkurtër kundër ushtrisë. Prigozhin nuk u arrestua pas kryengritjes, por Putin e denoncoi kryengritjen si një “thikë pas shpine” dhe u zotua se do t’i ndëshkonte të gjithë “tradhtarët” e përfshirë.
Hetuesit janë duke analizuar rrënojat e avionit privat që i përkiste grupit Wagner, i cili u rrëzua gjatë rrugës për në Shën Petersburg nga Moska, duke mos lënë asnjë pasagjer të mbijetuar.
Vëzhguesi i fluturimeve Flightradar24 tregoi një avion brazilian Embraer 600 të regjistruar në emrin e grupit Wagner duke u zhdukur nga radarët herët në mbrëmjen e 23 gushtit. Menjëherë pas kësaj, u shfaqën video në rrjete sociale, ku shihej një aeroplan duke rënë nga qielli në një zonë rreth 300 kilometra në veri të Moskës, që përkonte me vendndodhjen e zhdukjes së avionit.
Pyetjet se a ishte Prigozhin në aeroplan apo jo, dhe rrethanat se përse u rrëzua avioni kanë çuar në spekulime se Putini qëndron prapa rrëzimit tw avionit.
Një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, Prigozhin udhëhoqi një rebelim jetëshkurtër më 24 qershor, kur luftëtarët e Wagnerit pushtuan qytetin jugor të Rostov-mbi-Don dhe marshuan deri në 200 kilometra larg Moskës. Një avion ushtarak rus u rrëzua gjatë kryengritjes dhe gjithsej 13 trupa të Forcave Ajrore ruse u vranë. Kjo cilësohet si sfida më serioze për Putinin në më shumë se dy dekadat e tij në pushtet.
Komandanti dhe bashkëthemeluesi i Wagnerit, Dmitry Utkin, u rendit gjithashtu në mesin e shtatë pasagjerëve në avion, tha autoriteti i aviacionit, duke cituar linjën ajrore. Dy pilotë dhe një stjuardesë ishin gjithashtu në bordin e avionit, tha autoriteti i aviacionit, duke shtuar se një hetim për incidentin ka nisur.
Nuk ka pasur asnjë konfirmim zyrtar nga Kremlini apo Ministria e Mbrojtjes se Prigozhini dhe Utkini vdiqën, por një kanal i lidhur me Wagnerin në platformën Telegram e shpalli atë të vdekur.
Kanali Gray Zone ("Zona gri" në shqip) e shpalli Prigozhin një hero dhe një patriot për të cilin tha se kishte vdekur në duart e njerëzve të paidentifikuar që i quajti "tradhtarë të Rusisë".
Gray Zone raportoi gjithashtu se një tjetër avion privat në pronësi të Prigozhinit u ul i sigurt në rajonin e Moskës. Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur ta verifikojë këtë informacion në mënyrë të pavarur.
Vdekja e Prigozhinit dhe Utkinit, nëse konfirmohet, do të ishte një goditje e rëndë për grupin Wagner, i cili ishte kyç në betejën e Rusisë për ta marrë në kontroll qytetin ukrainas të Bahmutit në fillim të këtij viti.
Kush është Wagneri?
Wagner është një ushtri mercenare ruse që u themelua në vitin 2014, sipas udhëheqësit të saj, Yevgeny Prigozhin.
Grupi ishte shumë aktiv në luftën në Ukrainë derisa u rebelua kundër ushtrisë ruse në muajin qershor.
Luftëtarët e Wagnerit tani raportohet se janë të vendosur në kampet ushtarake në Bjellorusi.
Ndërkohë, grupi është aktiv edhe në Afrikë dhe Lindje të Mesme.
Ushtarët e Wagnerit janë të vendosur gjithashtu në Siri, ku Rusia mbështet qeverinë e presidentit Bashar Assad në një luftë civile, dhe në Libi, ku ata luftuan përkrah forcave të komandantit Khalifa Hifter. Grupi ka vepruar gjithashtu në Republikën e Afrikës Qendrore dhe në Mali.
"Shkatërrimi i Prigozhinit pothuajse me siguri do të kishte një efekt thellësisht destabilizues për Grupin Wagner”, tha Ministria britanike e Mbrojtjes.
“Vakuumi i lidershipit të Wagnerit do të komplikohej nga raportet se edhe themeluesi dhe komandanti në terren, Dimitry Utkin, dhe shefi i logjistikës, Valery Chekalov, gjithashtu vdiqën”, shtoi tutje Ministria britanike.
Vendndodhja e shefit të Wagnerit ka qenë kryesisht një mister që nga rebelimi. Ai u shfaq në videon e tij të parë që nga rebelimi në fillim të kësaj jave. Në videon që besohet të jetë xhiruar në Afrikë dhe të publikuar më 21 gusht në kanalet e Telegram të lidhura me grupin Wagner, Prigozhin shihet duke qëndruar në një zonë shkretëtire me veshje ushtarake dhe me një pushkë në duar.
Më parë ai besohej se po lëvizte nëpër Rusi dhe Bjellorusi, ku trupat e Wagnerit kanë ngritur kampe për t'i trajnuar forcat e armatosura bjelloruse si pjesë e një marrëveshjeje të negociuar që ndihmoi në përfundimin e rebelimit.
Kryengritja e Wagnerit erdhi pas disa muajsh konfrontimesh intensive publike me udhëheqjen ushtarake të Rusisë mbi strategjinë e luftës në Ukrainë dhe furnizimet me municione.