Policia e Kosovës i ka arrestuar të hënën pesë zyrtarë të saj lidhur me ndërhyrjen e tyre në një incident në Lipjan në orët e vona të mëngjesit ku ka vdekur një burri i ri, ka bërë të ditur Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).
Mediat lokale raportojnë se zyrtarët policorë dyshohen për kryerje të veprës penale "vrasje nga pakujdesia".
Arrestimi i tyre vjen pas rekomandimit të IPK-së që Policia të vendosë masën e suspendimit të përkohshëm për pesë zyrtarët policorë të përfshirë në ndërhyrje.
“Sot në orët e mbrëmjes, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë janë ftuar për intervistim në IPK në cilësinë e të dyshuarve pesë zyrtarët policorë të përfshirë në këtë ndërhyrje/reagim policor (një rreshter dhe katër zyrtarë policorë)”, ka thënë IPK-ja përmes një komunikate, dhe që masa e ndalimit ndaj zyrtarëve është për 48 orë.
Policia e Kosovës ka thënë më herët gjatë ditës për mediat lokale se personi i vdekur dyshohej se ishte nën ndikimin e alkoolit dhe po sulmonte automjete dhe kalimtarë në Lipjan.
Sipas zyrtarëve policorë, në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent i cili ka ofruar ndihmën e parë, por që përkundur përpjekjeve është konstatuar se ai ka ndërruar jetë.
Në komunikatën për media të lëshuar nga Inspektorati Policor i Kosovës është thënë se ky institucion ka nisur të mbledhë prova materiale, incizime të kamerave të sigurisë dhe që në hetim do t'i përfshijë edhe rezultatet e ekzaminimeve përfshirë ato mjeko-ligjore.
Ky institucion ka thënë se rastin do ta trajtojë si “hetim mbi vdekjen”.
Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësim për rastin dhe kanë kërkuar zbardhjen e së vërtetës.
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi ka thënë përmes një postimi në Facebook se “mënyra se si pesë policë e menaxhuan këtë situatë më së paku mund të quhet pakujdesi dhe amatorizëm i skajshëm, 27-vjeçari vdiq në dorë të shtetit”.
Ai ka kërkuar llogari nëse policët e përfshirë në incident kishin trajnim profesional për të menaxhuar situata të tilla, dhe nëse incidenti është rezultat "i politikave të reja të Lëvizjes Vetëvendosje që policët e rinj nga shkollat e mesme të bëhen policë me një trajnim prej vetëm 12 javësh".
Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë muaj më parë se ka më shumë se një vit që ka ndryshuar planin e trajnimit profesional të policëve të rinj - nga gjashtë muaj sa ka qenë më herët, kohëzgjatja e tij është bërë tre muaj.
Për ekspertët e sigurisë ky ndryshim ishte përshkruar si shqetësues.
Policia e Kosovës pati thënë vetëm se vendimi është marrë në përshtatje me “nevojat dhe kërkesat e saj operative”, pa ofruar më shumë hollësi.
Policët e rinj trajnohen në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të vendit.
Kjo akademi është akredituar nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimeve për Zbatim të Ligjit (IADLEST) i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Për njohësit e sistemit të sigurisë, trajnimi prej tre muajsh i policëve të rinj është larg të qenët i mjaftueshëm.
Kjo situatë, sipas tyre, është duke shkaktuar edhe probleme në terren.
Sa trajnohen policët në rajon?
Në Shqipëri, trajnimi bazë i policëve zgjat gjashtë muaj, e po aq edhe në Serbi.
Në Federatën e Bosnje e Hercegovinës, trajnimi për gradën “polic” zgjat gjithsej tetë muaj, nga të cilët pesë muaj janë mësim teorik në Akademinë e Policisë së Ministrisë Federale të Arsimit dhe Kulturës dhe tre muaj praktikë në agjencitë policore.
Në Republikën Sërpska të Bosnje e Hercegovinës, kohëzgjatja totale e trajnimit policor dhe formimit profesional është 14 muaj, nga të cilët 36 javë mësimore në Akademinë e Policisë dhe gjashtë muaj në njësitë organizative të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Sërpska.
Në Maqedoninë e Veriut, trajnimi për policët e rinj zgjat 12 muaj, ndërsa në Mal të Zi dy vjet.
Mosha e pensionimit të policëve është 65 vjeç.
Një projektrezolutë që përfshinte pensionimin e parakohshëm të tyre - e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës në opozitë në tetor të vitit 2023 -nuk u çua përpara nga Kuvendi i Kosovës.
Policët kosovarë nuk kanë as sigurim shëndetësor, as jetësor.