Bombat me tym në sallën e Kuvendit të Serbisë kanë shënuar nisjen e sesionit të rregullt pranveror, më 4 mars.
Seanca pritet të vazhdojë të mërkurën.
Deputetët e opozitës lëshuan dy herë bomba tymi dhe aktivizuan mjete piroteknike në Kuvend, pasi deputetët e koalicionit qeverisës miratuan rendin e ditës, të cilin opozita e kundërshtoi.
Deputetët opozitarë iu afruan tavolinës së kryetares, aktivizuan bomba me tym të kuq dhe të zi dhe shpalosën një pankartë ku shkruhej “Serbia po ngrihet për të rrëzuar regjimin”.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë, i pranishëm në vendngjarje, raportoi se tymi nga mjetet piroteknike, mund të nuhatej edhe në korridoret e kuvendit.
Për pasojë, tri deputete janë lënduar në sallë. Njëra prej tyre, Jasmina Obradoviq, deputete e koalicionit qeverisës, është raportuar të ketë pësuar "goditje në tru" dhe se është "në rrezik për jetën".
Pavarësisht tymit, kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq ka refuzuar mbylljen e seancës dhe e ka akuzuar opozitën se po vepron si “bandë terroriste”.
“Serbia nuk do të ndalet. Revolucioni juaj me ngjyra ka dështuar”, ka thënë Bërnabiq në sallë.
Ajo e ka përmendur përgjatë seancës disa herë edhe Kosovën.
“Këtë e ka bërë Albin Kurti. A jeni krenarë me veten? A jeni të kënaqur?”, ka thënë ajo, si referencë për gazin lotsjellës të hedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, partia e kryeministrit të Kosovës, Kurtit, në të kaluarën në Kuvendin e Kosovës.
Në disa raste, ajo i ka kritikuar deputetët që janë bërë lajm në Kosovë, dhe e ka përdorur termin pezhorativ për shqiptarët, ‘shiptari’.
Më pas, ministrat dhe deputetët e partive në pushtet kanë nisur të diskutojnë për pikat e agjendës.
Opozita i ka penguar ata duke bërtitur, dhe në një pikë, deputetët opozitarë kanë lëshuar prapë bomba tymi dhe kanë aktivizuar një fishekzjarrë.
Paraprakisht, Qeveria miratoi rendin e ditës me 62 pika, por refuzoi kërkesën e opozitës që të diskutohej vetëm për ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë.
Këto të fundit janë kërkesë e studentëve që protestojnë në Serbi, që nga shembja vdekjeprurëse e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.
Në seancë duhej të miratohej edhe dorëheqja e kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, të cilën ai e ofroi më 28 janar, nën presionin e protestave të studentëve.
"Ne konsiderojmë se Qeveria ka rënë. Ju nuk keni të drejtë të propozoni ligje, derisa jeni në dorëheqje. Ju duhet ta arrestoni veten dhe të mos bëni cirk", tha deputetja e Partisë për Liri dhe Drejtësi, Marinika Tepiq.
Disa deputetë të opozitës në sallë mbajtën edhe fotografi me duar të përgjakura dhe pankarta ku shkruhej: "Grevë e përgjithshme", "Studentët kanë të drejtë" dhe "Mësimdhënës, jemi me ju".
Prokuroria Themelore në Beograd i ka nisur kërkesë policisë për mbledhjen e informatave të nevojshme në lidhje me incidentin.
Para ndërtesës së këtij institucioni u mblodhën edhe studentë dhe qytetarë të tjerë, të cilët paraprakisht nderuan 15 viktimat e tragjedisë në Novi Sad, duke bllokuar për 15 minuta një udhëkryq pranë.
Kërkesat e studentëve
Kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit, 2024.
Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.
Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.
Bërnabiq tha më herët se është arritur marrëveshje me përfaqësuesit e të gjitha universiteteve shtetërore për ndryshime në Ligjin për Arsimin e Lartë dhe se me këtë do të përmbushet kjo kërkesë e studentëve.
Qeveria pretendon se janë plotësuar edhe kërkesat e tjera të studentëve.
Studentët thonë se bllokadat dhe protestat e tyre do të vazhdojnë dhe se grupet e ekspertëve do të përcaktojnë nëse kërkesat janë plotësuar ose jo.