Ideja për ndryshimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila është proklamuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si një zgjidhje përmes të cilës do të arrihej një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, është e papranueshme për shumicën e serbëve të Kosovës, vlerësojnë njohësit serbë të zhvillimeve politike në vend.
Petar Miletiq nga Mitrovica e Veriut, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, thotë për Radion Evropa e Lirë se ideja e një caktimi të kufirit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, është një zgjidhje jocivilizuese.
“Me diçka të tillë ne dërgojmë porosi se nuk jemi të aftë të jetojmë me njëri-tjetrin, gjegjësisht që të jetojmë me dikë që flet gjuhë tjetër, që ka besim tjetër dhe që i takon grupit tjetër etnik. Për mua kjo është e papranueshme që në atë mënyrë t’i qasemi problemit në shekullin 21. Veçanërisht, kjo edhe për faktin se mund të ketë implikime politike. Çështja e caktimit të kufijve, supozoj që nënkupton edhe ndryshimin e kufijve, çfarëdo qofshin ata. Ky mund të jetë një precedent i rrezikshëm që mund të hapë ‘Kutinë e Pandorës’ dhe të shkaktojë efektin ‘domino’ në vendet fqinje dhe në rajone të ndryshme”, theksoi Miletiq.
Ai ka shtuar se ende nuk është e qartë se si e mendojnë Vuçiq dhe Thaçi caktimin e kufirit. Por, sipas tij, në rast se kufiri do të tërhiqej në lumin Ibër, serbët që jetojnë në jug të lumit Ibër dhe që përbëjnë shumicën e numrit të serbëve që jetojnë në Kosovë, do t’i humbnin edhe ato të drejta që i kanë pasur deri më sot, të paktën në letër. Kjo, siç thotë ai, do të mund të shkaktonte shpërngulje masive të serbëve nga Kosova.
(Video nga arkivi: Shqiptarë e serbë në ankth për ndryshimin e kufirit)
Ndërkaq, politikani tjetër serb nga Graçnica, Momçilo Trajkoviq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se realizimi eventual i një ideje për ndryshimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do ta trondiste gjithë rajonin, e sidomos të serbëve që jetojnë në Kosovë.
Sipas tij, vetë porosia për mundësinë e caktimit të kufirit të ri, i ka vënë në mëdyshje serbët që jetojnë në jug të lumit Ibër nëse duhet të vazhdojnë të jetojnë aty. Kjo ide, sipas tij, parandalon kthimin e serbëve të zhvendosur, ndërkohë që në mënyrë të pabesueshme ka krijuar ndryshimin e klimës edhe në raportet fqinjësore ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, të cilat sadopak janë rivendosur me shumë mund.
Kufiri në Alpbach
“Në qoftë se zbatojmë principin etnik dhe në qoftë se Serbia dëshiron të lirohet nga shqiptarët, sepse në lojë është edhe Presheva dhe Bujanoci, në atë projekt të cilin e ofrojnë ata, atëherë ne serbët në jug të Ibrit, ne që jemi diku rreth 80 mijë prej, do të mbesnim në një pjesë të pasme të Kosovës ose në një Shqipëri të Madhe. Unë jam i sigurt që ai numër i serbëve do të ishte faktor pengues për disa politika, të cilat do të mund të bënin diçka të tmerrshme, siç është pastrimi etnik i serbëve. Konsideroj që nuk është gjë e mençur që të bëhen kalkulime të tilla”, theksoi Trajkoviq.
Por, cili është në përgjithësi disponim i bashkësisë serbe në Kosovë lidhur me idenë e ndryshimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
Miletiq thotë se serbët e Kosovë janë të frikësuar nga realizimi i një ideje të tillë. Sipas tij, serbët që jetojnë në jug të lumit Ibër janë të pasigurt për të ardhmen e tyre. Ndërkaq, serbët e veriut të Kosovës, siç thotë ai, janë të ndarë. Disa i gëzohen mundësisë eventuale që të jenë sërish brenda kufijve të Serbisë, ndërkaq një numër i madh i tyre frikësohen nga ndonjë konflikt i mundshëm. Megjithatë, siç thotë Miletiq, qytetarët serbë të Kosovës e kanë të pamundur që ta transmetojnë qëndrimin e tyre.
“Bashkësia serbe, në kuptimin politik, nuk ekziston në Kosovë. Ky është problem i madh. Pra, njerëzit që tash përfaqësojnë elitën politike në Kosovë, janë përfaqësuesit e Listës Serbe, të cilët do të bëjnë krejt çfarë ju thotë Vuçiq, madje edhe nëse kjo është në kundërshtim me interesat e tyre dhe të fqinjëve të tyre. Lista Serbe nuk ka fuqi që ta kundërshtojë çfarëdo zgjidhje të keqe”, u shpreh Miletiq.
Edhe Trajkoviq thotë se shqetësimet e serbëve të Kosovës lidhur me idenë e ndryshimit të kufirit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Lista Serbe nuk i pasqyron. Për më shumë, sipas tij, ky subjekt politik e bën të kundërtën.
“Lista Serbe është projekt, i cili duhet t’i disiplinojë serbët këtu dhe t’i bindë që krejt çfarë thotë Beogradi është e mençur dhe duhet pranuar. Ju mund ta shihni që në opinion tashmë po paralajmërohet që të gjithë ata që janë kundër ndarjes së Kosovës, janë në fakt për shtetin e pavarur të Kosovës. Madje edhe na barazojnë. Për shembull, dje, presidenti i Serbisë, mua më ka barazuar me Ramush Haradinajn, se unë dhe ai jemi për Kosovën e pavarur”, tha Trajkoviq.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e Listës Serbe, tash e disa javë, kanë refuzuar të flasin lidhur me idetë për arritjen e një marrëveshjeje juridikisht obliguese ndërmjet Kosovës e Serbisë, e sidomos për idenë e ndryshimit të kufirit.