Hungaria e ka anuluar një takim të ministrave të Jashtëm me Gjermaninë, i caktuar për 8 korrik në Budapest, për shkaqe teknike, tha Ministria e Jashtme hungareze të shtunën.
“Për shkak të një ndryshimi të papritur në kalendarin e ministrit, Ministria e Jashtme ka kërkuar që vizita të ndodhë në një datë tjetër, me shpresë së shpejti”, thuhet në njoftim.
Ajo tha se arsyeja është “plotësisht teknike, dhe jo politike”.
Të premten, Ministria e Jashtme e Gjermanisë tha se u “trondit” nga anulimi i takimit dhe se nevojitet një bisedë “serioze dhe e sinqertë”, pasi kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, ditën e njëjtë në Moskë.
Orbani u bë lideri i parë i një vendi të BE-së që e takon Putinin në Moskë prej prillit 2022, dy muaj pasi Moska e kishte nisur pushtimin e plotë të Ukrainës.
Takimi i tyre i zemëroi liderët e Bashkimit Evropian, të cilët thanë se Orbani nuk ka folur në emër të BE-së atje.
Vizita u zhvillua më pak se një javë pasi Budapesti mori kryesimin e presidencës së Këshillit të BE-së dhe tri ditë pasi Orban prezantoi një marrëveshje të mistershme armëpushimi gjatë një vizite, po ashtu të befasishme, në Kiev.
Orban ka mbajtur raporte të ngushta me Punin dhe u ka rezistuar sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.
Ai po ashtu ka refuzuar që t’iu bashkohet përpjekjeve perëndimore për ndihmë ushtarake për Ukrainën.