Ndërlidhjet

HRW: Talibanët afganë kanë krijuar krizën më të rëndë në botë e të drejtave të grave


Dy gra me burka duke kaluar në një rrugë në provincën Herat. 20 tetor 2021.
Dy gra me burka duke kaluar në një rrugë në provincën Herat. 20 tetor 2021.

Talibanët kanë krijuar “krizën më të rëndë në botë e të drejtave të grave” që kur u kthyen në pushtet në Afganistan gushtin e vitit 2021, tha organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch.

Nën sundimin taliban, Afganistani është bërë shteti i vetëm ku vajzave u ndalohet që të shkojnë në shkollë përtej klasës së gjashtë, tha HRW në një deklaratë më 11 gusht.

Talibanët po ashtu “kanë minuar të drejtën e grave për liri të lëvizjes, i kanë ndaluar ato nga shumë forma të punësimit, kanë hequr mbrojtjet për gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë me bazë gjinore, kanë krijuar barriera për qasjen e tyre në kujdes shëndetësor dhe ua kanë hequr të drejtën që të luajnë sporte dhe madje që të vizitojnë parqet”.

Presioni ndaj grave afgane vjen në kohën kur shteti i tyre po ashtu po përjeton një krizë të madhe humanitare, me ndihma të pamjaftueshme për mijëra refugjatë afganë, të cilët janë detyruar të kthehen në Afganistan nga Pakistani.

Gratë dhe vajzat janë në mesin e personave që janë prekur më së shumti nga kjo krizë humanitare, tha HRW.

Situata është përshkruar nga raportuesi special i Kombeve të Bashkuara për Afganistanin, Richard Bennett, si “një sistem i institucionalizuar i diskriminimit, ndarjes, mosrespektimit të dinjitetit njerëzor dhe përjashtimit të grave dhe vajzave”, tha HRW.

“Nën sundimin abuziv taliban, gratë dhe vajzat afgane po përjetojnë ankthin e tyre më të keq”, tha Fereshta Abbasi nga HRW-ja.

Abbasi u bëri thirrje të gjitha qeverive që të “mbështesin përpjekjet që udhëheqja talibane të mbahet përgjegjëse për të gjitha këto krime serioze në Afganistan”.

Abbasi tha se shtetet që angazhohen me Qeverinë në Kabul, të udhëhequr nga talibanët, duhet që vazhdimisht t’ia kujtojnë këtij ekzekutivi për “shkeljet që bën ndaj grave dhe vajzave dhe të gjithë afganëve dhe shkeljet që i bën ligjit ndërkombëtar”.

Më shumë se gjysma e popullsisë së Afganistanit – prej 23 milionë banorësh – përballet me pasiguri ushqimore, sipas OKB-së.

Kufizimet që autoritetet talibane kanë vendosur ndaj grave dhe vajzave kanë penguar qasjen e tyre në kujdesin shëndetësor, duke rrezikuar të drejtën e tyre për shëndet, theksoi HRW.

Kjo organizatë tha se ndalesa në edukimin e vajzave do të bëjë që në të ardhmen të ketë mungesë të grave që punojnë në sistemin shëndetësor.

HRW u bëri thirrje shteteve që të gjejnë mënyra për të ndihmuar në lehtësimin e krizës humanitare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG