Ndërlidhjet

Adem Hoxha: Mbështetja jonë për qeverinë e Kurtit, ende në pikëpyetje


Deputeti i zgjedhur i Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha, pritet nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, 3 prill.
Deputeti i zgjedhur i Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha, pritet nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, 3 prill.

Deputeti i zgjedhur i Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha, ka thënë të martën se partia e tij ka ende dyshime se a ta mbështesë liderin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për formimin e qeverisë së re.

“Mua nuk me pengon Kurti dhe askush. Por, e kam vendosur pikëpyetjen [për mbështetjen], marrë parasysh përvojën që e kemi pasur me kryeministrin Kurti në katër vjetët e kaluara”, theksoi Hoxha për Radion Evropa e Lirë.

Hoxha nuk shpjegoi cila ka qenë përvoja e tyre me Kurtin gjatë mandatit të tij të kaluar katërvjeçar dhe as cilat do të ishin kushtet e tij për t’ia dhënë votën Kurtit për mandatin e tretë.

Hoxha ishte në mesin e zyrtarëve të partive nga pakicat joserbe që Kurti i takoi më 3 prill për të biseduar për formimin e qeverisë së re të vendit.

Ai shtoi se në përbërjen e re të Kuvendit, deputetët nga pakicat joserbe po përpiqen ta krijojnë një grup të përbashkët parlamentar, pjesë e të cilit do të jetë edhe ai.

Në rast se nuk arrihet marrëveshje për krijimin e një grupi të përbashkët, ai tha se mund t’i bashkohet grupit parlamentar të cilësdo parti, shqiptare apo joshqiptare.

Hoxha - i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e Grupit Parlamentar të Listës Serbe – e mohoi se ka pasur ndonjë lloj trysnie nga “Serbia apo kushdo qoftë”, pasi Këshilli i Sigurisë së Kosovës tha ditë më parë se Serbia po tentonte ta sabotonte “themelimin e institucioneve të reja” dhe legjislaturës së nëntë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

“Nuk më ka thirrur askush nga Serbia, nuk kam marrë asnjë kërcënim, shantazh apo sugjerim”, nënvizoi Hoxha për REL-in.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetjen se për cilët deputetë thuhet se Serbia po ndërhyn për ta sabotuar themelimin e institucioneve të reja apo nga cilat komunitete janë ata. Por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.

Përgjigje lidhur me këtë çështje nuk ka kthyer as Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë.

Megjithëse nguli këmbë se nuk ka marrë asnjë sugjerim as nga Lista Serbe, Hoxha e pranoi se vazhdon të bashkëpunojë me partinë kryesore të serbëve të Kosovës, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Ai këmbënguli se është “e natyrshme” të bashkëpunojë me Listën Serbe dhe tha se ka bashkëpunim edhe me partitë shqiptare, si Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Të gjithë ne që jemi zgjedhur nga populli, duhet të bashkëpunojmë në një mënyrë për interesin e Kosovës dhe popullit të saj”, tha Hoxha.

Pak ditë pas përpjekjeve të Kurtit për t’i bindur partitë e pakicave joserbe për ta votuar qeverinë e tij, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha të martën se nuk beson se formimi i qeverisë së re është i mundur pa përfshirjen e partive opozitare në koalicionin qeverisës.

Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.

Asaj i nevojitën të paktën 61 ulëse për ta formuar qeverinë e re.

Kurti llogariste në 10 deputetët e partive të pakicave joserbe.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG