Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se ai nuk do të bisedojë me Serbinë për Liqenin e Gazivodës (Ujmani) e as për pjesën veriore të Mitrovicës, në kohën ku ai po ballafaqohet me kritika të mëdha nga opozita dhe shoqëria civile se ai po bën pazare me territorin e vendit.
Duke folur në një debat në Prishtinë, presidenti Thaçi ka vazhduar të mbështesë idenë e proklamuar që marrëveshja paqësore me Serbinë të përfshijë edhe ndryshimin e kufirit, ose siç e quan ai, “korrigjim të kufirit”.
Ai ka deklaruar se marrëveshja nuk do të përfshijë ndarje dhe as shkëputje të pjesës veriore të Kosovës.
“Çfarë do të thotë kjo? E para nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Nuk do të ketë shkëputje të pjesës veriore të Kosovës. Nuk do të ketë Sërpska Republikë në Kosovë. E kam thënë më parë dhe e them përsëri, nuk do të bisedojmë kurrë, në asnjë rrethanë për liqenin e Gazivodës (Ujmanit) apo për qytetin e Mitrovicës”, tha Thaçi.
Në debatin e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) presidenti Thaçi ka ritheksuar se arritja e marrëveshje për normalizimi e raporteve me Serbinë do t'i hapte Kosovës rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe anëtarësimit në Kombet e Bashkuara (OKB).
“Si Kosovë kemi ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera me Malin e Zi, Maqedoninë dhe Shqipërinë si vende fqinje na mbetet të ndërtojmë marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë, prandaj jemi angazhuar në dialog me Serbinë tani e sa vite. Është koha tani për marrëveshje të madhe historike përfundimtare mes dy shteteve”, u shpreh Thaçi.
Thaçi nënvizoi se nuk ka periudhë të caktuar kohore për arritjen e marrëveshjes me Serbinë por, siç thotë ai, synohet që deri në pjesën e parë të pranverës së vitit të ardhshëm të arrihet kjo marrëveshje.
Presidenti Thaçi ka theksuar se vëmendja e bashkësisë ndërkombëtare është përqendruar në arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë dhe se kjo vëmendje e këtyre mekanizmave duhet të shfrytëzohet.
“Është e rëndësishme të shfrytëzojmë këtë rast dhe të arrijmë këtë marrëveshje. Nëse e humbasim këtë rast pas zgjedhjeve të institucioneve të Bashkimit Evropian që do të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm rrezikojmë të gjendemi si Kosovë dhe si rajon përballë një Bashkimi Evropian më të mbyllur për Ballkanin Perëndimor. Rrjedhimisht do të kemi më pak vëmendje dhe vendosmëri për të shtyer përpara proceset që garantojnë paqe dhe siguri në Kosovë dhe në tërë Evropën Juglindore”, theksoi Thaçi.
Presidenti Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq pritet të zhvillojnë në Bruksel raundin e ri të dialogut më 7 shtator.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian ka nisur më 2011. BE-ja kërkon që në fund të këtij procesi, të dyja vendet të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e raporteve, e cila, veç tjerash, hap perspektivën evropiane për të dyja palët.