Në Hagë të Holandës të dielën mijëra shqiptarë nga diaspora, por edhe nga Kosova, protestuan duke kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protesta e 14 shtatorit u thirr nga mërgata shqiptare dhe u mbështet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK).
"Ta quash UÇK-në organizatë kriminale është ofendim i madh për NATO-n"
Ish-ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch, që kishte shërbyer në Kosovë në kohën kur u themelua Specialja, tha se atëbotë ishte udhëzuar nga Qeveria e tij të bënte presion që të themelohej kjo gjykatë.
Bosch u tha protestuesve se nuk i pëlqente kjo ide “sepse më dukej e pakuptimtë që serbët të mos gjykoheshin nga kjo gjykatë, por e bëra punën time”.
“Më kujtohet kur e takova Thaçin, ai ishte i shqetësuar. Por, i thash nuk ke pse të shqetësohet sepse gjykimi është i drejtë ti do të jesh i lirë për shkak të mungesës së provave”, tha Bosch.
Ai tha se UÇK-ja ishte çizmja e NATO-s në terren dhe kritikoi akuzën e bërë nga Prokuroria e Specializuar që i cilëson ish-krerët e UÇK-së si pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.
“Ta quash UÇK-në organizatë kriminale është ofendim i madh për NATO-n sepse NATO-ja nuk bashkëpunon me organizata kriminale”, tha ai.
Protesta në kryeqytetin holandez u mbajt në një park që gjendet afër selisë së Dhomave të Specializuara.
Gucati: Drejtësia s'duhet të shndërrohet në instrument politik
Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha se nga Haga i bën thirrje Evropës që “të mos lejohet që drejtësia të shndërrohet në instrument politik”.
Sipas tij, UÇK-ja nuk luftoi asnjëherë për pushtet, por për liri.
“Drejtësia duhet të jetë e njëjtë”, tha ai, duke shtuar se serbët që kanë kryer krime “gëzojnë lirinë”.
“Drejtësi për çlirimtarët, liri për të drejtën tonë historike”, tha ai.
Specialja "mjet i padrejtësisë"
Ish-pjesëtari i UÇK-së, njëherësh bashkëorganizatori i protestës, Fatmir Koci, tha se UÇK-ja nuk ishte as agresore e as pushtuese, por tha se sot ish-krerët e UÇK-së po gjykohen “me akuza të pabaza”.
“Nuk do të pranojmë asnjëherë këtë padrejtësi ndaj tyre”, tha ai.
Koci tha shteti serb ka kryer “krime të tmerrshme gjatë luftës dhe nuk ka dhënë asnjë llogari”.
Ai kritikoi Qeverinë e Kosovës, pasi argumentoi se ajo “ka heshtur” dhe “nuk ka mbrojtur” shtetasit e saj.
“Specialja është mjet i padrejtësisë”, tha ai, duke shtuar se “kërkojmë hetim të drejtë e të paanshëm për krimet e kryera gjatë luftës. Kërkojmë drejtësi për ata që luftuan për lirinë tonë”.
Protesta në Hagë u mbajt pasi më 7 gusht, mijëra persona protestuan në Prishtinë kundër Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë – që njihen edhe si Gjykata Speciale.
Në Speciale rasti kryesor po zhvillohet kundër ish-krerëve të UÇK-së, përkatësisht ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Kosovës, Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i kanë hedhur poshtë të katërtit.
Protesta në Hagë u mbajt një ditë para se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të nisë paraqitjen e provave të saj dhe dëshmitarëve.
Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, do të nisë dëshminë e tij para Speciales më 15 shtator, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.
Mbrojtja e të akuzuarve i tha Radios Evropa e Lirë se lista e atyre që do të dëshmojnë në anën e tyre, nisur nga 15 shtatori, është konfidenciale.
Në media, megjithatë, qarkulluan disa emra - në mesin e tyre: Wesley Clark, William Walker, Bernard Kouchner e të tjerë.
Të njëjtit u përmendën edhe në një listë që zbuloi mbrojtja në vitin 2022.
Mbrojtja e Thaçit ka deklaruar se 11 dëshmitarët që mëton të thërrasë të japin dëshminë e tyre në seanca të hapura. Ndërkaq, mbrojtja e Krasniqit ka thënë se dy dëshmitarë do të japin dëshminë në gjykatore, ndërkaq dy të tjerë do të japin dëshminë me shkrim dhe kjo dëshmi veçse u është dorëzuar prokurorëve.
Paneli i gjyqtarëve i Dhomave të Specializuara parasheh që deri më 14 nëntor ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të përmbyllë rastin e mbrojtjes të Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit. Ky panel po ashtu pret që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të jetë e përgatitur që të paraqesë shkresat përfundimtare të gjykimit para 22 dhjetorit të këtij viti.
Për çfarë akuzohen ish-krerët e UÇK-së?
Që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, që të katër të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të vitit 2023. Në mbi dy vjet, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatore 125 dëshmitarë si dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale.
ZPS-ja deklaroi më 16 prill se ka përmbyllur paraqitjen e provave ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.
Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.
Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale – janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.