Ndërlidhjet

E akuzuara serbe për spiunazh e mohon fajësinë


Serbja nga Mitrovica e Veriut mohon spiunazhin për BIA-n
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:01:40 0:00

Jellena Gjukanoviq në Gjykatën Themelore në Prishtinë, 16 shtator 2025.

E akuzuara serbe për spiunazh, Jellena Gjukanoviq, deklaroi para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë se nuk e pranon fajin që i ngarkohet.

Gjykimi ndaj saj nisi më 16 shtator, ndërsa seanca fillestare zgjati më pak se një orë.

Mbrojtja e Gjukanoviqit kërkoi 30 ditë afat për mbledhjen e provave shtesë, por trupi gjykues, i udhëhequr nga Rrahman Beqiri, vendosi se 15 ditë janë të mjaftueshme.

"Brenda këtij afati do të kërkojmë hedhjen poshtë të aktakuzës dhe do të paraqesim prova kundërshtuese. Pastaj, do të shohim vendimin e gjykatësit", tha avokati i Gjukanoviqit, Predrag Millkoviq, pas seancës.

Mbrojtja kërkoi gjithashtu që paraburgimi t’i zëvendësohet me arrest shtëpiak - kërkesë kjo që u kundërshtua nga prokurori Bekim Kodraliu.

Millkoviq tha shkurtimisht për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm të ofrojnë edhe dorëzani prej 15.000 eurosh.

Gjukanoviq, nga Mitrovica e Veriut, punonjëse e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, u arrestua më 28 shkurt në pikën kufitare të Jarinjës, në veri të Kosovës, dhe prej asaj kohe ndodhet në paraburgim.

Gjatë leximit të aktakuzës, prokurori special, Bekim Kodraliu, tha se Jellena Gjukanoviq, me informacionet e transmetuara tek Agjencia Serbe e Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA), ka rrezikuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.

Ai tha se Gjukanoviq ka qenë në kontakt me dy zyrtarë të BIA-s: Ratko Gajtanoviq, përgjegjës i agjencisë në rajonin e Novi Pazarit, dhe Lubisha Bukviq, zyrtar tjetër i saj.

"Me këtë të fundit, e pandehura është takuar disa herë në zyrat e BIA-s në Beograd", theksoi Kodraliu.

Sipas tij, Gjukanoviq ka shfrytëzuar pozitën që mbante në OSBE, duke vepruar nën ndikimin e Aleksandar Vllajiqit, i dënuar tashmë për spiunazh, si dhe zyrtarëve të tjerë të BIA-s.

Përmes këtij roli, tha ai, e akuzuara ka kontribuar në krijimin e një "narrativi armiqësor" ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Përmes këtyre veprimeve të qëllimshme, sipas Kodraliut, Gjukanoviq ka vënë në rrezik serioz jetën dhe sigurinë personale të zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve të vendit dhe personelit ndërkombëtar të OSBE-së në Kosovë.

Në përfundim, Kodraliu tha se me këto veprime, Gjukanoviq "në vazhdimësi ka kryer veprën penale të spiunazhit".

Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi është vepër e rëndë penale dhe dënohet me të paktën pesë vjet burg, nëse vërtetohet fajësia.

Muajin e kaluar, edhe një serbe tjetër e Kosovës dhe partneri i saj kroat janë arrestuar në Kroaci, nën dyshimet për spiunazh.

Sipas raportimeve, kroati, i cili ka shërbyer në misionin e NATO-së në Kosovë, KFOR, i ka dhënë informacione konfidenciale partneres së tij nga Kosova, të cilat ajo ua ka përcjellë anëtarëve të Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Gjatë muajve të fundit, autoritetet kosovare kanë arrestuar dhe akuzuar disa persona, serbë dhe shqiptarë, nën dyshimet për spiunim në shërbim të inteligjencës serbe.

Ekspertët vlerësojnë se këto raste tregojnë se spiunazhi mbetet një kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG