Ndërlidhjet

Specialja rrëzon mocionin e mbrojtjes në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së


Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi gjatë gjykimit në Hagë.
Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi gjatë gjykimit në Hagë.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë refuzuar plotësisht mocionin e mbrojtjes që kërkonte heqjen e disa fakteve materiale nga aktakuzave ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Mocioni kishte për qëllim të sfidonte përfshirjen e ngjarjeve që kanë ndodhur para majit të vitit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, sqaroi se incidentet e përmendura nga mbrojtja nuk konsiderohen si akuza të veçanta, por si pjesë përbërëse e akuzave ekzistuese.

Smith tha se “ajo çfarë kundërshton mbrojtja nuk është një akuzë, por është një pjesë e një akuze në formën e fakteve të materialeve të caktuara” që sipas tij përbëjnë akuzat apo pikat në aktakuzës.

Sipas Smith, rregulla 130 nuk i jep trupit gjykues kompetencën për të rrëzuar pjesë të veçanta të akuzës që përmbajnë fakte materiale, nëse këto nuk përbëjnë akuza të pavarura.

Ai theksoi se interpretimi i kësaj rregulle kërkon një shqyrtim të plotë të secilës pikë të aktakuzës, e jo të çdo fakti individual që kontribuon në ndërtimin e saj.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, u shpreh ai.

Rregullorja e Procedurës dhe e Provave për kryerjen e proceseve para Dhomave të Specializuara

Rregulla 130

Rrëzimi i akuzave

(1) Menjëherë pas mbylljes së paraqitjes së provave prej Prokurorit të Specializuar, Mbrojtja e informon trupin gjykues për synimin e vet mbi dorëzimin e një mocioni për rrëzimin e ndonjë akuze, apo të gjitha akuzave në aktakuzë.

(2) Mocione të tilla dorëzohen brenda dhjetë (10) ditësh nga mbyllja e paraqitjes së provave prej Prokurorit të Specializuar. Prokurori i Specializuar mund të paraqesë përgjigje brenda dhjetë (10) ditësh nga dorëzimi i mocionit. Mbrojtja nuk ka të drejtë të paraqesë kundërpërgjigje. Trupi gjykues mund të dëgjojë argumentet gojore të palëve dhe nëse është e zbatueshme, të mbrojtësit të viktimave, argumente të cilat mund t’i lejojë për një ose disa akuza konkrete.

(3) Pasi të ketë dëgjuar palët dhe, nëse është e zbatueshme, mbrojtësin e viktimave, nëpërmjet një vendimi që e shqipton gojarisht trupi gjykues mund të rrëzojë disa, ose të gjitha akuzat e aktakuzës, në qoftë se nuk ekzistojnë prova në mbështetje të një vendimi fajësie jashtë dyshimit të arsyeshëm në lidhje me akuzat në fjalë.

(4) Prokurori i Specializuar ka të drejtën të apelojë një vendim që rrëzon aktakuzën apo çfarëdo akuze të saj në bazë të rregullës 170. Mbrojtja nuk ka të drejtë të apelojë vendime që refuzojnë kërkesa për rrëzimin e aktakuzës.

Gjyqtari shtoi se shumë nga faktet në fjalë lidhen me krime kundër njerëzimit, për të cilat, ndryshe nga krimet e luftës, nuk është e domosdoshme të provohet ekzistenca e një konflikti të armatosur.

Për këtë arsye, edhe nëse argumentet e mbrojtjes do të pranoheshin, ato nuk do të çonin në rrëzimin e ndonjë pike të aktakuzës.

“Trupi gjykues nuk është bindur që ka autoritet sipas Rregullës 130 për të rrëzuar pjesë të akuzave ose materiale që formojnë pjesë të aktakuzës, qoftë për arsye kohore apo të tjera”, theksoi Smith, duke bërë të ditur se mocioni u rrëzua në tërësinë e vet.

Rregulla 130 në Rregulloren e Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës ka të bëjë me mocionet për rrëzimin e akuzave nga aktakuza, para fillimit të gjykimit.

Ky rregull i lejon mbrojtjes të paraqesë kërkesë për të rrëzuar një apo më shumë akuza specifike nëse pretendon se provat e Prokurorisë nuk janë të mjaftueshme për t’i mbështetur ato akuza.

Qëllimi është të mos lejohet që një aktakuzë e pabazuar të kalojë në gjykim të plotë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se "ky vendim, për fat të keq, përfaqëson një mundësi të humbur për ta forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare dhe në parimet mbi të cilat ajo duhet të qëndrojë: objektiviteti, paanshmëria dhe e vërteta".

"Historia nuk guxon dhe nuk mund të shkruhet në sallat e heshtura të gjykatave, sepse është shkruar në sakrificat e popullit tonë për liri. Drejtësia mund të vonohet, por e vërteta nuk do të ndryshojë asnjëherë. Ata janë të pafajshëm. Ata janë çlirimtarë. Prandaj, e presim me padurim vendimin final për lirinë e tyre", shkroi Krasniqi në Facebook.

Më 15 prill 2025, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit u dorëzua më 30 shtator 2022 dhe përmban dhjetë pika, ku të akuzuarit ngarkohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar më 2015 nga Kuvendi i Kosovës.

Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë të Holandës, heton krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.


Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG