Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti, i ndryshuar dhe plotësuar më 2023, është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, tha gjykata më e lartë e vendit në një vendim të enjten.
Gjykata Kushtetuese njoftoi se e pranoi kërkesën e Avokatit të Popullit për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji, pas ndryshimeve të miratuara në vitin 2023.
Avokati i Popullit ngriti tri çështje, nëse Ligji bën pabarazi dhe diskriminim, nëse është larguar kriteri prej 15 vjetësh stazh kontributpagues për qytetarët që për shkak të largimit nga puna si pasojë e masave të dhunshme s’e kishin arritur stazhin e kërkuar dhe nëse pensioni parcial kontributpagues i moshës përbën skemë të re.
Gjykata e konfirmoi kushtetutshmërinë e nenit 4 të këtij Ligji dhe tha se skema e re përmirëson padrejtësitë e mëhershme, siguron trajtim të barabartë për të gjithë të dëbuarit nga puna gjatë viteve 1989-‘99, dhe se e ndal diskriminimin.
Skema e re i njeh vitet 1989-‘99 si periudhë e vlefshme për stazh, pa kërkuar dëshmi për pagesë kontributesh, pra mjafton dëshmia për largim të dhunshëm nga puna.
Në këtë skemë janë futur të gjithë qytetarët të cilët janë larguar nga puna në vitet e ’90, e të cilëve nuk u është njohur kontributi, dhe si pasojë, nuk e kanë plotësuar kriterin prej 15 vjetësh stazh, për të përfituar nga pensioni kontribut-pagues.
Gjykata vlerësoi se mënyra e përcaktimit të kushteve dhe e lartësisë së pensioneve, përmes skemës parciale kontributpaguese të moshës është gjithëpërfshirëse.
Ajo “njëtrajtshëm ua njeh (a) përvojën e punës dhe (b) kontributet pensionale, pa asnjë dallim, të gjithë punëtorëve të dëbuar dhunshëm nga puna përgjatë viteve 1989 - 1999, duke shmangur kësisoj çdo formë të diskriminimit dhe të trajtimit të pabarabartë para ligjit, mes grupeve të ndodhura në rrethana të ngjashme faktike dhe juridike”.
Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti zbatohet që nga viti 2014.
Pensionet në Kosovë sillen nga 120 deri në 318 euro.
Fondi Pensional, ku të gjithë të punësuarit kishin kontribuar deri më 1999, është përvetësuar nga Serbia.
Sipas Shoqatës së Pensionistëve, në periudhën kur në mënyrë joligjore është marrë Fondi Pensional nga ana e Serbisë, numri i pensionistëve ishte llogaritur të jetë më shumë se 89 mijë.
Sipas vlerësimeve të përafërta, thuhet se shuma e Fondit Pensional të Kosovës arrin vlerën deri në 2 miliardë euro.