Ndërlidhjet

Gjykata e dënon edhe një person tjetër për sulmin ndaj KFOR-it


Protestuesit serbë duke u përleshur me pjesëtarët e KFOR-it në Zveçan më 29 maj 2023.
Protestuesit serbë duke u përleshur me pjesëtarët e KFOR-it në Zveçan më 29 maj 2023.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Llazar Dejanoviqin me tetë muaj burgim dhe një gjobë prej 10.000 eurosh, pasi ai arriti marrëveshje me prokurorinë për pranimin e fajësisë lidhur me pjesëmarrjen në protestën e dhunshme të 29 majit 2023 në Zveçan, kur protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e KFOR-it, misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzoi Dejanoviqin për veprën penale sulm ndaj personit zyrtar dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepre penale dhe huliganizëm.

Avokati i Dejanoviqit, Lubomir Pantoviq, i tha Radios Evropa e Lirë se në dënimin e tij me burgim është përfshirë edhe koha që ai e ka kaluar në paraburgim prej 20 qershorit të këtij viti, që nënkutpon se atij i kanë mbetur vetëm katër muaj burgim për t’i shlyer.

Përveç Dejanoviqit, në Kosovë deri tani janë arrestuar edhe dhjetëra persona të tjerë për "pjesëmarrje në protesta të dhunshme" dhe për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, por shumica kanë arritur marrëveshje me prokurorinë për pranimin e fajësisë.

Dhuna në Zveçan kishte shpërthyer pasi serbët lokalë patën kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Si pasojë e dhunës kishin mbetur të plagosur 93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej tyre rëndë.

KFOR-i ka thënë më herët se sulmi ndaj ushtarëve të tij ishte kryer "pa asnjë provokim” dhe se ishte “plotësisht i papranueshëm".

KFOR-i gjithashtu tha se shpresonte që edhe autoritetet në Beograd do t’i hetojnë personat që pas trazirave "u kthyen në Serbi", dhe se pret që të gjithë autorët të "procesohen me urgjencë".

KFOR-i kërkon përgjegjësit për dhunën në Zveçan
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:41 0:00

Institucionet përkatëse në Serbi deri më tani nuk janë deklaruar për këtë çështje, pra nuk dihet nëse autoritetet serbe po zhvillojnë ndonjë proces kundër personave që kanë marrë pjesë në sulmin ndaj KFOR-it.

Kosova ka fajësuar Serbinë për ngjarjet në Zveçan, duke thënë se ato janë kryer nga “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.

Por, Serbia e ka mohuar një akuzë të tillë, duke akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se synonte të shtynte serbët “drejt një konflikti me NATO-n”.

KFOR-i është përgjegjësi i tretë për sigurinë e Kosovës, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG