Ndërlidhjet

Gjukanoviq: Ballkani, sërish arenë e përplasjeve gjeopolitike


Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq flet gjatë takimit të Asamblesë së 76 -të të OKB -së më 23 shtator 2021 në Nju Jork.
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq flet gjatë takimit të Asamblesë së 76 -të të OKB -së më 23 shtator 2021 në Nju Jork.

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka thënë se Ballkani vazhdon të jetë një rajon i konfrontimit të interesave dhe qëllimeve strategjike të aktorëve të ndryshëm ndërkombëtar.

Ai këto komente i bëri në fjalimin para Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila po i zhvillon punimet në Nju Jork të SHBA-së.

"Edhe sot e kësaj ditë ekzistojnë sfidat dhe kërcënimet ndaj demokracisë shumëetnike në Ballkan. Ballkani Perëndimor është përsëri arenë e interesave gjeopolitike, pasojat e të cilave janë ngadalësimi i integrimit të shoqërive të Ballkanit Perëndimor në mjedisin e tyre natyror evropian", shtoi presidenti malazez.

Gjukanoviq tha se Mali i Zi paralajmëron për rrezikun e përtërirë të destabilizimit të Ballkanit Perëndimor dhe ngushtimin e hapësirës të perspektivës së tij evropiane.

Më herët, një raport i ri i Qendrës për Studimin e Demokracisë me bazë në Bullgari thotë se në vendet ku ka pasur hyrje të kapitalit kinez është vërejtur ndikim negativ në mjedis dhe cilësinë e qeverisjes.

Pjesa më e madhe e ndikimit të Pekinit është fokusuar në Hungari, Çeki dhe Ballkanin Perëndimor, kryesisht në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.

Sipas raportit, vendet që kanë pësuar më së shumti në rënien e standardeve të qeverisjes dhe rritjen e nivelit të borxhit janë Bosnje dhe Hercegovina, Hungaria, Mali i Zi dhe Serbia.

Një projekt për ndërtimin e autostradës në vlerë prej 1 miliard dollarësh në Mal të Zi u vendos në qendër të debatit për ndikimin kinez në Evropë.

Mali i Zi pati njoftuar se nuk do të ishte në gjendje të paguante borxhin e tij ndaj Bankës Export-Import të Kinës.

Përveç çështjes së borgjit ky projekt u kritikua edhe për koston që kishte.

Përfundimisht, Podgorica mori ndihmë borxhi nga një sërë institucionesh amerikane dhe evropiane për të ndihmuar në stabilizimin e financave të saj dhe për të përmbushur pagesat e huasë.

Edhe ndikimi rus konsiderohet nga vendet perëndimore si shumë problematik në Ballkanin Perëndimor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG