Ndërlidhjet

Gjermania, thirrje "urgjente" Kosovës të përmbahet nga “shënjestrimi” i institucioneve shëndetësore serbe


Mitrovica e Veriut.
Mitrovica e Veriut.

Shkurtimisht

  • Gjermania i ka bërë thirrje Kosovës të ndalojë veprimet kundër institucioneve shëndetësore serbe në Mitrovicë.
  • BE-ja dhe SHBA-ja kritikuan mbylljen e institucioneve serbe, duke kërkuar konsultime me komunitetin serb.
  • Autoritetet kosovare argumentojnë se këto institucione janë të jashtëligjshme dhe duhet integruar në sistemin e Kosovës.

Gjermania i ka bërë thirrje “urgjente” të hënën Kosovës të përmbahet nga “shënjestrimi” i institucioneve shëndetësore të drejtuara nga Serbia në territorin kosovar.

Michael Reiffenstuel, drejtor për Ballkanin Perëndimor, Turqinë, Këshillin e Evropës dhe OSBE-në në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, i cilësoi në një komunikatë si shqetësuese veprimet e autoriteteve kosovare për pezullimin e punës së zyrave në Mitrovicë të Fondit për Sigurime Shëndetësore dhe Fondit për Sigurime Invalidore e Pensionale.

“Veprimet shqetësuese të javës së kaluar ndikojnë negativisht te vetë qytetarët e Kosovës, bien ndesh me detyrimet dhe angazhimet e saj ndaj BE-së dhe rëndojnë marrëdhëniet tona dypalëshe”, tha Reiffenstuel.

Deklarata e Reiffenstuelit u shpërnda në rrjetet sociale nga Ambasada gjermane në Prishtinë dhe ambasadori i saj, Jorn Rohde, me mbishkrimin: “Mesazh i qartë nga Berlini: nevojitet bashkëpunim dhe bashkërendim, jo më hapa përshkallëzues”.

Komuna e Mitrovicës së Veriut tha se më 12 shtator se, me ndihmën e Policisë së Kosovës, kreu kontrolle në hapësirat ku vepronin këto institucione të Serbisë dhe se gjeti duke punuar njerëz që “nuk kanë pasur dokumentacion të vlefshëm për ushtrimin e veprimtarisë së përmendur”.

“Për këtë arsye, puna është pezulluar përkohësisht, ndërsa procedura e mëtejshme do të zhvillohet në mënyrë të rregullt, në përputhje me ligjet dhe kompetencat në fuqi”, tha Komuna e Mitrovicës së Veriut.

Në 3 minuta

Çdo të enjte, zhvillimet më të rëndësishme përpiqemi t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip. Regjistrohuni falas këtu për ta pranuar të parët në emailin tuaj çdo numër të newsletter-it tonë.

Vendimi i autoriteteve kosovare është dënuar edhe nga Bashkimi Evropian, i cili i bëri thirrje Qeverisë në detyrë të Kosovës dhe institucioneve të tjera relevante të Kosovës “të përmbahen nga provokime të tilla dhe veprime të dëmshme si dhe të konsultohen me komunitetin lokalë serbë dhe partnerët ndërkombëtarë”.

Sipas bllokut evropian, këto veprime kanë ndikim negativisht te qytetarët e zakonshëm, kryesisht nga komuniteti serb në Kosovë, por edhe te komunitetet e tjera.

Fondi për Sigurime Shëndetësore në Mitrovicën e Veriut funksionon në kuadër të Fondit Republikan për Sigurime Shëndetësore të Serbisë dhe ofron shërbime në fushën e kujdesit shëndetësor – si vërtetimin e libreza shëndetësore, punët që lidhen me komisionet mjekësore, bën llogaritjen, kontrollin dhe pagesën e kompensimeve financiare, si dhe vërtetimin e kërkesave për ndihma mjekësore-teknike dhe të ngjashme.

Në mjediset serbe në Kosovë, të gjitha institucionet shëndetësore dhe arsimore funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, e ka akuzuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, se po vazhdon me “fushatën e njëanshme, përshkallëzuese dhe hapur antiserbe, qëllimi i vetëm i së cilës është t'i dëbojë serbët nga Kosova”.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në shtator të vitit 2024, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se funksionimi i shëndetësisë dhe arsimit në mjediset me shumicë serbe është specifik dhe se këto institucione do të trajtohen në mënyrë specifike - ndaras nga mbyllja e institucioneve të tjera serbe.

Më 2024, autoritetet e Kosovës nisën mbylljen e disa institucioneve serbe në Kosovë, përfshirë: Postën e Serbisë, Bankën e Kursimeve Postare, organet e përkohshme komunale, qendrat për punë sociale e të tjera.

Ndërkaq, javën e kaluar ato morën nën kontroll edhe objekte në Graçanicë dhe Shtërpcë që përdoreshin nga Posta e Serbisë.

Mbyllja e institucioneve serbe, që Kosova i konsideron të jashtëligjshme dhe paralele, është përballur me kritika nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara që kanë thënë se Qeveria e Kosovës po ndërmerr veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.

E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, i tha një grupi mediash në gjuhën serbe më 4 shtator se të gjitha institucionet paralele serbe, përfshirë arsimin dhe kujdesin shëndetësor, duhet të integrohen në sistemin e Kosovës.

Megjithatë, ajo ka theksuar se mënyra se si do të bëhet ky integrim është thelbësore dhe, sipas saj, duhet të zhvillohet vetëm përmes konsultimeve me komunitetin serb.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG