Ndërlidhjet

Gashiq: Nuk e kam akuzuar Gjermaninë për mbrojtjen e vrasësit të Ivanoviqit


Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Bratisllav Gashiq
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Bratisllav Gashiq

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Bratisllav Gashiq ka deklaruar në Kuvendin e Serbisë, më 22 qershor se nuk e ka akuzuar Gjermaninë për mbrojtjen e vrasësit të politikanit kosovar Oliver Ivanoviq, por se deklarata e tij është “transmetuar pa pikëpyetje”, gjë që i jep një kuptim tjetër.

“Nuk e kisha të vështirë të kërkoja transkriptimin e fjalimit tim të djeshëm ku them: ‘kemi kërkuar nga autoriteteve gjermane se nën mbrojtjen e kujt ndodhet ai njeri në këtë moment - pikëpyetje - të na japin të dhëna”, tha Gashiq.

Ai shtoi se “askush nuk e ka akuzuar Gjermaninë”.

Përderisa ministri i brendshëm serb pretendon se Gjermanisë i është bërë pyetje se kush është autori i dyshuar i vrasjes së Ivanoviqit, në transkriptimin e seancës, të publikuar në faqen e Kuvendit të Serbisë, nuk ka asnjë pikëpyetje.

Ambasada gjermane në Prishtinë ka dematuar pretendimet e tij.

Ambasada gjermane tha për Radion Evropa e Lirë se nuk ka dijeni se kush e ka vrarë Ivanoviqin më 16 janar 2018.

“Deklaratat që thonë se dorasi është nën mbrojtjen e autoriteteve gjermane nuk janë të vërteta. Qeveria gjermane nuk ka pranuar asnjë kërkesë nga autoritetet serbe për këtë çështje”, u tha në përgjigje.

Më 21 qershor, Gashiq tha se autoritetet serbe “e dinë saktësisht” se kush e ka vrarë Oliver Ivanoviqin.

Ai tha se policia serbe ka kërkuar nga autoritetet gjermane këtë person “nën mbrojtjen e të cilëve ai është”.

Radio Evropa e Lirë u është drejtuar Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila udhëheq hetimet për vrasjen e Ivanoviqit, Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe asaj të Drejtësisë, pas pretendimeve të Gashiqit se ka video ku shfaqet autori i dyshuar në aeroportin e Tiranës.

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet serbe deklarojnë se e dinë emrin e vrasësit të Ivanoviqit.

Më 2019, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përmendi emrin e shqiptarit nga Kosova, Florim Ejupi, i cili jeton në Gjermani.

Vuçiq kërkoi nga ndërkombëtarët se pse autoriteteve hetuese të Serbisë nuk po iu jepen pamjet e kamerave nga aeroporti i Tiranës, për, siç tha ai, “lëvizjen sekrete të personit të quajtur Florim Ejupi, i cili është nën vëzhgim në Gjermani”.

“Çfarë po bënte ai në aeroportin e Tiranës. Ai më pas lëvizi drejt Kosovës dhe u zhduk përsëri, e sërish po kthehej në Gjermani nga po i njëjti aeroport”, deklaroi Vuçiq më 3 korrik 2019.

Sipas mediave në Kosovë dhe Serbi, Ejupi më pas kishte njoftuar policinë gjermane se emri i tij është lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, por autoritetet gjermane i thanë atij “që të mos shqetësohej për atë rast”.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, në vitin 2008, Florim Ejupi ishte dënuar me 40 vjet burgim për një sulm me një mjet shpërthyes në autobusin e Nish Ekspres në afërsi të Podujevës.

Megjithatë, në shkallën e dytë, trupi gjykues i Supremes në Kosovë më 2009 e liroi Ejupin nga akuzat “për mungesë provash”.

Sulmi ndaj autobusit kishte ndodhur më 2001, kur ishin vrarë 11 civilë serbë.

Ndryshe, Ivanoviq u vra me gjashtë plumba në shpinë para selisë së partisë së tij në Mitrovicë të Veriut – një prej katër komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Mbi pesë vjet pas kësaj vrasjeje, rasti ende nuk është ndriçuar.

Kosova dhe Serbia kanë kryer hetime për këtë rast.

Prokuroria Speciale e Kosovës deri më tani ka ngritur tri aktakuza, por në to nuk ka pasur ndryshime thelbësore, gjegjësisht përmenden vetëm personat që “me vetëdije dhe qëllim kanë ndihmuar grupin kriminal për kryerjen e veprës penale të vrasjes së Oliver Ivanoviqit”, por jo autori i vrasjes apo porositësi.

Aktakuza janë ngritur ndaj zyrtarëve policorë Nedelko Spasojeviq, Radeta Basara, Zharko Jovanoviq, por edhe ndaj sekretares së Ivanoviqit, Sillvana Arsoviq dhe Marko Roshiq, qytetar i Mitrovicës së Veriut.

Më 19 tetor 2022, Policia e Kosovës arrestoi pjesëtarin e komunitetit serb, M.M, nën dyshimet se ai është anëtar “i një grupi të organizuar kriminal” të lidhur me vrasjen.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG