Ndërlidhjet

Gjermania do të ndajë 200 milionë euro ndihmë për Afganistanin


Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Gjermania do të sigurojë 200 milionë euro shtesë në ndihmë humanitare për Afganistanin, njoftoi Ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock të enjten (31 mars).

Kriza humanitare që po përjeton popullsia afgane është një nga më të rëndat në botë, tha Baerbock.

Në të njëjtën kohë, ajo u bëri thirrje talibanëve që janë momentalisht në pushtet që të ofrojnë qasje të papenguar për punonjësit e ndihmës humanitare dhe të garantojnë sigurinë e tyre.

Ajo tha se ishte e papranueshme që Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (WFP), për shembull, nuk ishte aktualisht në gjendje të furnizonte provincat e Kabulit, Kandaharit dhe Ghor-it me ushqim për të shpëtuar jetë.

Ajo u bëri thirrje gjithashtu atyre që të ofrojnë qasje të barabartë në arsim në të gjithë vendin.

Shkollat e mesme janë të mbyllura për vajzat në Afganistan.

"Gjendja e vështirë e vajzave ilustron vuajtjet e njerëzve në Afganistan", tha Baerbock.

Përkushtimi i Gjermanisë përtej ndihmës humanitare vazhdon të varet nga veprimet e qeverisë talebane, shtoi ministrja e jashtme gjermane.

"Berlini pret respekt për të drejtat e njeriut, formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse dhe veprim kundër terrorizmit", tha ajo.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG