Kancelari gjerman, Olaf Scholz mbrojti shtetin e tij, i cili po kritikohet se nuk po heq dorë nga importet e energjisë ruse, duke thënë se Berlini “në mënyrë aktive po punon” për t’u larguar nga varësia e importit të gazit rus.
“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi dhe po bëjmë shumë”, tha Scholz nga Londër më 8 prill, duke theksuar se Gjermania ka një plan për diversitfikimin e energjisë dhe se po shikon për furnizues të tjerë për gazin natyral.
Gjermania është nën presion që të bëjë më shumë që të ulë importet e energjisë ruse, veçanërisht pas dëshmive që Ukraina dhe shumë qeveri perëndimore kanë treguar për krime lufte të kryera nga forcat ruse gjatë tërheqjes së tyre nga qytetet përreth Kievit.
“Ne aktivisht po punojmë që të bëhemi të pavarur nga importet e naftës ruse dhe mendoj se do të jemi në gjendje që t’ia dalim gjatë këtij viti”, tha Scholz gjatë një konference për media me kryeministrin britanik, Boris Johnson.
Nafta ruse përbën rreth 25 për qind të importeve gjermane, nga 35 për qind sa ishte para nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. Ndërkaq importet e gazit janë 40 për qind nga 55 sa ishin para pushtimit.