Ndërlidhjet

Gjermania do të dërgojë në Ukrainë “gjysmë batalioni” tanke


Një tank Leopard 2 gjatë stërvitjeve ushtarake në Gjermani. Fotografi nga arkivi.
Një tank Leopard 2 gjatë stërvitjeve ushtarake në Gjermani. Fotografi nga arkivi.

Gjermania tha se do të dërgojë në Ukrainë “gjysmë batalioni” tanke Leopard 2, përderisa aleatët e NATO-s duket se po vazhdojnë të punojnë për të siguruar makina të rënda që janë zotuar se do t’i dërgojnë Kievit.

Berlini tha muajin e kaluar se synon të dërgojë rreth 30 tanke për të ndihmuar forcat ukrainase që të luftojnë pushtimin rus, pasi Gjermania u përball me presion nga Kievi dhe mbështetësit e tij që të japë dritën jeshile për lejimin e dërgimit të tankeve.

Por, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, pas takimit me homologët e tij të NATO-s në Bruksel, tha se deri më tani kanë mbledhur vetëm 14 tanke të reja Leopard të llojit A6, dhe tre nga Portugalia.

“Le të jemi të qartë: Ne nuk kemi arritur të grumbullojmë një batalion. Ne do të ofrojmë gjysmë batalioni”, tha ai.

“Sa i përket Leopardëve gjermanë, dua të them edhe një herë se tanket tona do të dërgohen në javën e fundit të marsit. Kjo është e sigurt”, shtoi ai.

Gjermania, Polonia dhe Ukraina kanë mbajtur bisedime me anëtarët e tjerë të NATO-s në margjinat e samitit në Bruksel të martën, në tentim për të siguruar më shumë tanke për Kievin.

Pistorius tha se do të mbahen bisedime të tjera më vonë gjatë kësaj jave me donatorë të tjerë potencialë.

Ai tha se Berlini është kundër që Holanda të dërgojë 14 tanke Leopard 2, pasi kjo “do të dobësonte gatishmërinë operacionale” të brigadës së përbashkët gjermano-holandeze, ku këto tanke përdoren.

Ukraina ka kërkuar nga mbështetësit e saj perëndimorë që t’i dërgojnë tanke moderne, në mënyrë që të luftojë ofensivën ruse.

Polonia po ashtu është zotuar se do të dërgojë një batalion me Leopard 2 në Kiev dhe aktualisht është duke trajnuar trupat ukrainase për t’i përdorur këto tanke.

Kanadaja veçse ka dërguar disa tanke Leopard dhe Norvegjia është zotuar se do të dërgojë tetë të tjera.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG