Gjykata më e lartë në Gjermani vendosi që një parti e vogël e ekstremit të djathtë nuk do të marrë asnjë fond shtetëror në gjashtë vjetët e ardhshëm për shkak se vlerat dhe qëllimet e saj janë jokushtetuese dhe synojnë shkatërrimin e demokracisë së shtetit.
Gjykata Federale Kushtetuese tha se partia Die Heimat, që më herët njihej si Partia Nacionale Demokratike e Gjermanisë (NPD), “vazhdon të shpërfillë rendin demokratik dhe sipas qëllimeve të saj dhe veprimeve të anëtarëve dhe mbështetësve të saj, është e orientuar drejt eliminimit të tij”.
Gjykatësja Doris Koenig, që është nënkryetare e Gjykatës Kushtetuese, shpjegoi vendimin e marr në mënyrë unanime, duke thënë se koncepti politik i partisë nuk është në përputhje me garantimin e dinjitetit njerëzor, ashtu siç definohet në Kushtetutën gjermane.
Die Heimat ka një koncept të identitetit etnik gjerman dhe përkrah idenë që “komuniteti kombëtar” është i bazuar në prejardhje, tha gjykatësja.
“Promovimi i komunitetit bazuar në etni rezulton në shpërfillje për të huajt, migrantët dhe pakicat dhe cenon dinjitetin njerëzor dhe parimin e barazisë elementare ligjore”, tha Koenig.
Qeveria gjermane, Dhoma e Ulët dhe e Lartë e Parlamentit dërguan lëndë për këtë parti para gjykatës. Ata paraqitën prova, duke thënë se dëshmojnë se Die Heimat është një organizatë raciste, që ka ideologji antimyslimane dhe antisemitike, dhe kundërshton transgjinorët.
Qeveria e ngriti çështjen për ndalimin e financimit të kësaj partie politike nga shteti, pasi dy përpjekje për t’ia ndaluar veprimtarinë kësaj partie dështuan.
Lideri i Die Heimat, Frank Franz, e minimizojë rëndësinë e vendimit të së martës.
“Po, nuk është shumë i mirë për ne”, tha Franz, sipas agjencisë gjermane të lajmeve Dpa.
Partitë politike në Gjermani marrin mbështetje financiare bazuar me përfaqësimin e tyre në parlamentin shtetëror, kombëtar dhe evropian.
Die Heimat nuk ka pranuar asnjë mbështetje nga shteti që nga viti 2021. Më 2016, kjo parti kishte pranuar 370.600 euro, pasi kishte fituar 3.02 për qind të votave në zgjedhjet në shtetin lindor të Meklenburgut – Pomeranisë Perëndimore.
Edhe një parti tjetër e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) është ngritur në sondazhe. Aktualisht, sipas sondazheve kjo parti është e dyta sa i përket mbështetjes kombëtare apo ka 23 për qind mbështetje, shifër shumë e lartë krahasuar me zgjedhjet e fundit federale që u mbajtën në Gjermani më 2021, kur AfD-ja fitoi 10.3 për qind të votave.
Politikanët kryesorë në Gjermani e kanë diskutuar mundësinë e ndalimit të AfD-së apo përjashtimit të saj nga ndihma financiare shtetërore, por deri më tani asnjë politikan nuk ka bërë hapa serioze në këtë drejtim.
Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, e mirëpriti vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Die Heimat, duke thënë se “dërgon mesazh të qartë: shteti ynë demokratik nuk financon armiqtë e Kushtetutës”.