Ndërlidhjet

OKB: Gazrat serrë shënuan rekord në vitin 2020


Pamje nga Nju Delhi i Indisë
Pamje nga Nju Delhi i Indisë

Agjencia e motit e Kombeve të Bashkuara tha se përqendrimet e gazrave serrë kanë shënuar rekord të ri vitin e kaluar, pavarësisht reduktimeve të përkohshme që janë bërë në fillim të pandemisë së koronavirusit.

Në raportin e saj vjetor, të publikuar të hënën, Organizata Botërore Meteorologjike tha se niveli i gazrave në vitin 2020 është rritur me ritëm më të shpejtë se mesatarja vjetore në dekadën e fundit.

Përqendrimet e dioksidit të karbonit, metanit dhe oksidit të azotit kanë qenë mbi nivelet e epokës paraindustriale - para vitit 1750 - kur njerëzit “kanë nisur të prishin ekuilibrin natyror të Tokës” me aktivitetet e tyre industriale, thuhet në raport.

“Për aq kohë sa emetimet vazhdojnë, temperaturat globale do të vazhdojnë të rriten”, thekson raporti.

Sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore Meteorologjike, Petteri Taalas, tha se nëse nivelet aktuale të rritjes së sasisë së gazrave serrë vazhdojnë, temperaturat do të rriten “shumë më tepër” se objektivi që ka vendosur Marrëveshja e Parisit për Klimën.

Me këtë marrëveshje, vendeve u është kërkuar që të kufizojnë ngrohjen globale këtë shekull në 1.5 gradë Celsius.

“Ne duhet t’i rishikojmë sistemet tona industriale, të energjisë dhe të transportit dhe gjithë mënyrën e jetesës”, tha Taalas.

Raporti u publikua vetëm disa ditë përpara një konference të OKB-së për ndryshimet klimatike.

Konferenca do të mbahet në Skoci nga data 31 tetor deri më 12 nëntor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG