Ndërlidhjet

Gazetari rus shet medaljen e Çmimit Nobel për 103 milionë dollarë


Gazetari rus, Dmitry Muratov duke bërë fotografi me medaljen e tij, pak para se ajo të shitej në Nju Jork.
Gazetari rus, Dmitry Muratov duke bërë fotografi me medaljen e tij, pak para se ajo të shitej në Nju Jork.

Medalja e Çmimit Nobel për Paqe, që ka fituar gazetari rus Dmitry Muratov vitin e kaluar, është shitur në një ankad për 103.5 milionë dollarë.

Të gjitha të hollat nga shitja e kryer më 20 qershor, do të shkojnë për Programin që ndihmon fëmijët ukrainas të zhvendosur nga lufta, i cili funksionon në kuadër të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF).

Blerësi nuk është identifikuar dhe ka kryer blerjen përmes telefonit.

Rekordi i kaluar për shitje të medaljes së Çmimit Nobel ka kapur shifrën e 4.76 milionë dollarëve më 2014, për çmimin e fituar më 1962 nga James Watson, i cili ka kontribuuar në dizajnim të strukturës së ADN-së.

Tre vjet më vonë, familja e Francis Crick, i cili e ka ndarë çmimin me Watson, e ka shitur medaljen për 2.27 milionë dollarë.

Muratov, i cili ka ndihmuar në themelim të gazetës së pavarur ruse, Novaya, e ka vënë në shitje medaljen e tij, për të rritur fondet për miliona ukrainas që kanë ikur nga shteti i tyre, prej kur Rusia ka nisur pushtimin më 24 shkurt.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Associated Press, ai ka thënë se është veçanërisht i shqetësuar për fëmijët që kanë mbetur jetimë për shkak të konfliktit në Ukrainë.

“Ne duam të rikthejmë të ardhmen e tyre”, ka thënë ai.

Muratov e ka ndarë Çmimin Nobel për Paqe më 2021 me Maria Ressan, bashkëthemeluese e uebfaqes, Rappler, e cila njihet si kritike e Qeverisë në Filipine.

Muratov ka qenë kryeredaktor i Gazetës Novaya kur ajo është mbyllur në muajin mars, si pasojë e taktikave të Kremlinit për të heshtur gazetarët dhe kritikët, pas pushtimit të Rusisë në Ukrainë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG