Grupi militant Shtetit Islamik (IS) angazhoi tre vrasëse për të vrarë Parwin, një gazetare që punon për një nga transmetuesit kryesorë të Afganistanit.
Nga frika për jetën e saj, Drejtoria Kombëtare e Sigurisë në Afganistan, agjenci kryesore e inteligjencës në këtë vend, urdhëroi Parwin të qëndronte në shtëpi dhe të ndërpriste çdo komunikim.
Brenda një jave, një ekip agjentësh të armatosur nxorën Parwin nga banesa ku jetonte, e futën brenda një automjeti të blinduar dhe e zhvendosën atë në një shtëpi të sigurt në kryeqytet, Kabul.
Parwin kaloi muaj të tërë e ngujuar në një dhomë, në pamundësi për t'u larguar ose parë familjen e saj. Përfundimisht, autoritetet afgane e larguan jashtë vendit, nga frika se jeta e saj ishte ende në rrezik.
"Nuk kam dyshim se do të isha e vdekur nëse nuk do të largohesha", tha Parwin, e cila pranoi të fliste për Radion Evropa e Lirë, me kusht që emri i saj i vërtetë të mos publikohej.
"Sulmuesit dinin gjithçka për mua - si dukesha dhe ku jetoja", tha Parwin, duke folur në telefon nga një vend i pazbuluar jashtë Afganistanit.
"Unë mund të isha vrarë në çdo moment", shtoi ajo.
Parwini është në mesin e dhjetëra gazetarëve që kanë ikur nga Afganistani muajt e fundit - qoftë përkohësisht ose përgjithmonë - mes një vale vrasjesh që targetojnë shtypin e pavarur.
Të paktën nëntë gazetarë dhe punonjës të mediave janë vrarë në Afganistan vetëm gjatë gjashtë muajve të fundit.
Për shumicën e vrasjeve u fajësuan talibanët, të cilët kanë intensifikuar sulmet kundër forcave afgane të sigurisë dhe civilëve edhe në kohën kur po zhvillojnë bisedime paqësore me qeverinë qendrore për t'i dhënë fund dekadave të luftës.
“Nuk dilja jashtë shtëpisë”
Parwin fillimisht pranoi një telefonatë nga Drejtoria e Sigurisë Kombëtare duke e këshilluar atë që të jetë "shumë vigjilente në lëvizjet dhe kontaktet me njerëzit".
Parwini, e cili po punonte nga shtëpia për shkak të pandemisë së koronavirusit, fillimisht nuk e mori paralajmërimin shumë seriozisht.
Si reportere që punonte në një zonë lufte, ajo ishte mësuar me rrezikun.
Vetëm disa ditë më vonë, ajo mori një telefonatë nga punëdhënësi i saj, duke e paralajmëruar atë se "kërcënimi ndaj teje është serioz" dhe duke e këshilluar atë që të jetë "tepër e kujdesshme" dhe të mos dilte nga shtëpia.
"Kjo ishte kur u frikësova për herë të parë", tha Parwin.
"Ndalova të dilja jashtë. Unë gjithashtu i thashë familjes time që të mos i tregonte askujt se ku isha dhe të më informonin nëse ndonjë i panjohur pyet për mua", tregon Parwin.
Disa ditë më vonë, ajo mori një telefonatë tjetër nga Drejtoria për Siguri Kombëtare. Këtë herë ata ndanë detajet e komplotit kundër saj.
Ky institucion e paralajmëroi atë se tri gra të reja ishin angazhuar për ta vrarë. Ato mund të paraqiteshin si lypëse të rrugës, punëtore shëndetësore ose të kërkonin donacione për bamirësi, tha agjencia.
Drejtoria dha një përshkrim të njërës prej vrasëseve: e gjatë, lëkurë të çiltër dhe me gjasë e veshur me nikab, një veshje që përdoret nga myslimanet që e mbulojnë fytyrën.
"Agjencia më tha se vrasësit do të përpiqeshin të më joshnin jashtë duke më ftuar në një ngjarje shoqërore ose ata do të vendosnin një bombë ngjitëse në një automjet me të cilin do të udhëtoja", tha Parwin.
"Nëse kjo do të dështonte, vrasësit do të vinin direkt në shtëpinë time".
Parwinit iu kujtua papritur se ishte kontaktuar disa javë më parë nga një grua që i kishte kërkuar ndihmë.
Gruaja pretendoi se ishte viktimë e abuzimit në familje dhe donte të tregonte historinë e saj.
Parwin kishte rënë dakord, por e shtyu intervistën disa herë për shkak të angazhimeve të punës.
Në ditët në vijim, dy gra erdhën dhe trokitën në derën e Parwinit, në intervale të ndryshme kohore.
Njëra tha që ajo ishte një punëtore që merrej me vaksinim dhe kërkoi që ta lejonte të hynte brenda.
Një grua tjetër tha se po mblidhte donacione për familjet e gazetarëve të vrarë kohët e fundit në Kabul. Parwini nuk pranoi të linte asnjërin prej tyre që të futej brenda.
Një grua e tjetër u shfaq shpejt në derë. Nëna e Parwinit foli me gruan përmes vrimës së derës. Ajo përputhej me përshkrimin që i ishte bërë njërit prej vrasëseve.
"Unë menjëherë thirra Drejtorinë për Siguri Kombëtare", tha Parwin.
"Ndjeva se gjithçka papritmas po mbyllej rreth meje. Vrasësit ishin fjalë për fjalë në anën tjetër të derës".
Parwini u dërgua me shpejtësi në një shtëpi të sigurt.
Ajo u lejua të merrte me vete vetëm një çantë të vetme. Familja e saj u zhvendos gjithashtu.
"Nëna ime dhe unë po qanim derisa unë po bëja gati çantat", tha ajo.
"Unë nuk pata kohë as t'i them lamtumirë siç duhet. Gjithçka ndodhi shpejt".
Parwin kaloi katër muaj në një shtëpi të sigurt para se të largohej nga Afganistani.
Gjatë asaj kohe, agjencia e inteligjencës arrestoi tri gratë që mendohej se po përpiqeshin ta vrisnin.
Drejtoria Kombëtare e Sigurisë tha se gratë pranuan komplotin e vrasjes. Ata gjithashtu thanë se Parwini ishte zgjedhur në veçanti për ta vrarë, megjithëse nuk e zbuluan pse.
"Për mua është e qartë", tha Parwin. "Unë jam gazetare. Unë jam një mbrojtëse e fjalës së lirë. Unë jam gjithashtu një grua. Talibanët dhe grupi militant Shteti Islamik i shohin gratë si një kërcënim për ideologjitë e tyre".
Gjatë sundimit të ashpër nga 1996 deri më 2001, talibanët shtypën vajzat dhe gratë, duke i ndaluar ato të shkonin në shkollë ose të punonin jashtë shtëpive të tyre.
Parwin u largua për në një vend të huaj - por nuk ishte fundi i përpjekjeve të saj. Ajo ka telashe me depresionin, ankthin dhe sulmet e panikut që u shkaktuan nga kjo eksperiencë e tmerrshme.
"Kur flas me nënën time në telefon, përpiqem shumë të mbaj lotët", tha ajo.
"Kur shkëpus linjën, unë qaj shumë. Unë qaj për familjen time, atdheun tim dhe profesionin tim - i cili është duke u sulmuar".
Parwin takon rregullisht një psikolog dhe merr ilaçe për ta ndihmuar atë që të kalojë përvojën e saj traumatike. Ajo rrallë del jashtë shtëpisë edhe pse jeton jashtë vendit.
Ajo është e pasigurt se çfarë e pret në të ardhmen.
"Nëse kthehem në Afganistan do të vritem", tha ajo. "Njëherë shënjestër, gjithmonë shënjestër", shtoi Parwin.
Frika nga pasojat
Në Afganistan, vala e sulmeve që ka në shënjestër vrasjen e gazetarëve ka qenë e pandërprerë muajve të fundit.
Viktimat ishin tre punonjëse të Enikass Radio dhe Televizion, një medium private me bazë në lindje të qytetit të Xhalalabadit. Të gjitha gratë, në fillim të të 20-ve, u qëlluan për vdekje më 2 mars, në dy sulme të ndryshme nga persona të armatosur, e të paidentifikuar deri më tani.
Militantët e IS-it morën përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se gratë ishin në shënjestër sepse ato punonin për një nga "stacionet mediatike besnike ndaj Qeverisë afgane".
Në dhjetor të vitit të kaluar, ekstremistët gjithashtu morën përsipër vrasjen e prezantueses së TV Enikass, Malala Maiwand si dhe shoferit të saj.
Këto vrasje ishin pjesë e një fushate nga talibanët dhe grupi militant, Shtetit Islamik për të kërcënuar dhe shënjestruar stacionet kryesore televizive, radiot dhe stafin e tyre, duke rezultuar në një seri sulmesh që kanë lënë shumë gazetarë dhe punonjës të tjerë të medias të vdekur në vitet e fundit.
Zhvillimi i mediave në Afganistan është një nga arritjet më të mëdha të dekadës së kaluar pas viteve të rrepta të talibanëve ose ndalimeve të drejtpërdrejta në të gjitha format e muzikës dhe televizionit, duke përfshirë lajmet e raportuara në mënyrë të pavarur.
Por, vrasjet e kanë bërë Afganistanin një nga vendet më vdekjeprurëse në botë për gazetarët dhe mediat janë detyruar të vendosin masa të reja sigurie dhe vetë-censurohen për shkak të frikës se lajmet mund të kenë pasoja të sigurisë.
Kjo është veçanërisht e vërtetë për gazetarët në zonat e kontrolluara nga talibanët në Afganistan, të cilët jetojnë me frikën e ndëshkimit nëse raportimi i tyre është kritik ndaj grupit militant.
Gazetari i Radios Evropa e Lirë, Mohammad Ilyas Dayee u vra në nëntor të vitit të kaluar kur një bombë magnetike e vendosur në makinën e tij shpërtheu në provincën jugore të Helmandit, një bastion i talibanëve.
Para vdekjes, Dayee tha se kishte marrë kërcënime të shumta me vdekje që e paralajmëronin të ndalonte raportimin mbi operacionet ushtarake talibane.
Vala e vrasjeve ka pasur një efekt veçanërisht tronditës mbi gratë që punojnë në media në Afganistan.
Komiteti Afgan për Sigurinë e Gazetarëve (AJSC), një organizatë joqeveritare, tha se më shumë se 300 gra - rreth 20 për qind e tërë fuqisë punëtore - kanë lënë ose kanë humbur punën e tyre në media gjatë gjashtë muajve të fundit.
Kjo organizatë tha në një njoftim për shtyp më 8 mars se një nga arsyet kryesore për këtë ishte "përkeqësimi i sigurisë së gazetarëve, veçanërisht vrasjet si dhe shënjestërimi për vrasjen e tyre".
Në pesë nga 34 provincat e Afganistanit, nuk kishte gra që punonin në media, tha Komiteti Afgan për Sigurinë e Gazetarëve, duke shtuar se ishte "jashtëzakonisht i shqetësuar" për këtë trend.
Në nëntë provinca të tjera, nuk kishte asnjë reportere femër, vetëm gra që punonin për ndërmarrjet mediatike.
"Vrasja me target gazetarët mund të shkaktojë një gjendje frike në komunitetin gazetaresk dhe kjo mund të çojë në vetëcensurë, braktisje të veprimtarive mediatike dhe madje edhe largim nga vendi", tha Mujib Khalwatgar, kryesues i grupit të avokimit të mediave afgane.
'Radha juaj për t'u vrarë'
Samira ishte në Kabul kur mori një telefonatë urgjente nga një vëzhgues i mediave lokale.
"Ata më thanë se sipas informacioneve të inteligjencës që kishin marrë, unë isha në listën të cilën do ta godisnin talibanët dhe se së shpejti do të vritesha", tha Samira, e cila kërkoi të mos përdoret emri i saj i vërtetë për arsye sigurie.
Vetëm katër ditë më vonë, Samira hipi në një fluturim për t'u larguar nga Kabuli. Ajo ka qëndruar jashtë vendit për disa muaj dhe nuk e di nëse apo kur do të kthehet në vendlindje.
"Nëse do të isha në Afganistan dhe ata do të donin të më vrisnin, do të ishte e lehtë për ta", tha Samira, duke folur përmes telefonit nga një vend i pazbuluar.
"Unë nuk kisha truproje dhe nuk udhëtoja me makinë të blinduar".
Para se të largohej nga Afganistani, Samira kishte jetuar në frikë të vazhdueshme pasi Kabuli ishte goditur nga vrasjet dhe atentatet pothuajse të përditshme.
Samira dhe kolegët e saj ndryshonin rrugët kur shkonin dhe ktheheshin nga zyra, përdorën mjete të ndryshme transporti dhe kohë pas kohe punonin nga shtëpia. Punëdhënësi i saj madje ofroi t'u siguronte atyre pistoleta, të cilën ajo nuk e pranoi.
Pavarësisht vendosjes së masave të sigurisë, disa nga miqtë, kolegët dhe të njohurit e Samirës janë vrarë nga shpërthimi i bombave të vendosura në makina.
Së bashku me gazetarët, shumë prej atyre që ishin në shënjestër ishin civilë - aktivistë për të drejtat e njeriut, figura kulturore, udhëheqës fetarë të moderuar dhe gra me ndikim në publik.
Ata përfaqësojnë disa nga elementet më progresive të shoqërisë që kanë lulëzuar që nga invazioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara më 2001 kur u rrëzuan talibanët nga pushteti.
Shumë prej sulmeve kanë kaluar pa u hetuar, megjithëse zyrtarët amerikanë kanë fajësuar talibanët për vrasjet.
Zyrtarët afganë akuzojnë talibanët se po përpiqen të mbulojnë gjurmët e tyre duke lejuar pjesëtarët e grupit militantët IS të marrin përgjegjësinë për disa prej atentateve.
Midis viktimave të vrasjeve të shënjestruara së fundmi ishin aktivisti i shquar i zgjedhjeve Yusuf Rasheed, Rahmatullah Nikzad, një reporter i pavarur dhe kreu i një sindikate të sigurisë së medias në provincën qendrore të Ghazni dhe aktivisti politik, Freshta Kohistani.
"Të gjithë ata që janë vrarë ishin njerëz me ndikim nga fushat e tyre", tha Samira.
"Secili kishte një zë të fortë. Dhe secila prej vdekjeve të tyre është një goditje e madhe për vendin", shtoi ajo.
Vrasjet e shënjestruara u shpeshtuan menjëherë pas fillimit të bisedimeve të paqes midis Qeverisë afgane dhe talibanëve në Katar.
Muaj më parë, Shtetet e Bashkuara dhe talibanët kishin nënshkruar një marrëveshje sipas së cilës të gjitha forcat e huaja do të largoheshin nga Afganistani në këmbim të sigurisë nga talibanët, të cilët kishin nisur bisedimet e paqes me Qeverinë afgane.
Vëzhguesit thonë se talibanët po përdorin vrasje të shënjestruara për të diskredituar Qeverinë afgane, për të vendosur frikë dhe për të eliminuar kritikët e grupit islamist.
"Civilët janë bërë peng në një lojë politike", tha Samira.
"Talibanët po terrorizojnë popullatën civile për të diskredituar qeverinë. Qeveria po përdor këto sulme për të dënuar talibanët. Në fund të fundit, nuk ka përgjegjësi".
Për ata që jetojnë mes masakrës, opsionet janë ekstreme.
"Ju ose qëndroni dhe prisni që të vije radha juaj për 'tu vrarë ose largoheni nga vendi", tha Samira.
"Nuk ka asnjë mënyrë për ta mbrojtur veten".
Facebook Forum