Ndërlidhjet

Ministrat e G7-ës takohen në Itali për të diskutuar për konfliktet


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Fotografi nga arkivi.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Fotografi nga arkivi.

Ministrat e Jashtëm të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) zhvillojnë takime dyditore afër Romës, së bashku me homologët e tyre nga Lindja e Mesme. Ata më pas do të diskutojnë edhe për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Ministrat e G7-ës do të diskutojnë edhe për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për lëshimin e fletarrestimeve për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe shefit ushtarak të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – dhe “për efektet e mundshme të krizës aktuale në Liban dhe Gazë”, tha Ministria e Jashtme e Italisë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të marrë pjesë në takimet me ministrat e tjetër të Jashtëm nga shtetet e tjera të G7-së: Britania, Kanadaja, Gjermania, Franca dhe Japonia.

Mikpritës i takimeve është ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.

Sesioni i parë nis pasditen e së hënës dhe do t’i kushtohet situatës në Lindjen e Mesme dhe Detin e Kuq, veçmas për përpjekjet për arritjen e një armëpushimi në Gazë dhe Liban.

Në një nga sesionet do të marrin pjesë edhe ministrat nga Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari dhe sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe, tha Ministria e Jashtme e Italisë.

“Kemi kërkuar që të jenë të pranishëm edhe partnerët nga rajoni për të nxitur dialog me anëtarët e G7-ës”, tha Tajani përmes një deklarate.

“Vetëm së bashku mund të gjejmë zgjidhje konkrete dhe të sjellim paqe dhe stabilitet në rajon”, shtoi ai.

Në ditën e dytë të takimeve, ministrat do të diskutojnë për mënyrat se si të vazhdohet mbështetja për Kievin, mundësitë për paqe dhe nismat për rindërtimin në të ardhmen, tha Roma.

Po të njëjtën ditë, në Bruksel ambasadorët nga shtetet e NATO-s dhe Ukraina do të diskutojnë për lëshimin e një rakete të re hipersonike të Rusisë, e cila ka rreze të mesme veprimi.

Tensionet në Azi-Paqësor po ashtu janë në agjendën e takimeve të ministrave të G7-ës dhe në takime janë ftuar edhe ministrat e Jashtëm të Koresë së Jugut, Indisë, Indonezisë dhe Filipineve.

Po ashtu, kryediplomatët e G7-ës pritet të diskutojnë për krizat në Haiti dhe Sudan, si dhe për situatën politike në Venezuelë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG