Ndërlidhjet

Një grua plagoset nga burri i saj në Fushë Kosovë


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Një grua është plagosur me armë zjarri nga burri i saj në Bresje të Fushë Kosovës mëngjesin e 6 gushtit dhe e njëjta është dërguar për tretman në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Nga Policia e Kosovës thanë se informacionin për plagosje me armë zjarri e morën në orën 07:30 të së martës.

“Lidhur me këtë rast policia ka arrestuar një person të dyshuar”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

E plagosura është duke u trajtuar në Klinikën e Emergjencës në Prishtinë dhe sipas drejtorit të kësaj qendre, Naser Syla, ajo është në gjendje stabile.

“Gjendja për momentin është stabile. I kemi kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme. Edhe intervenimet janë kryer. Është ende nën vëzhgim në Qendrën Emergjente dhe më vonë do të vendosim për transferim në klinikën përkatëse”, tha Syla për Radion Evropa e Lirë.

I arrestuari për plagosjen në Fushë Kosovë, sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, dyshohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”, atë të “mbajtjes në pronësi , kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “mospërfillje të gjykatës”.

Ky institucion sqaroi se ai vetëm katër ditë më parë, pra më 2 gusht, ishte ndaluar për shkak se dyshohej se kishte kryer veprën penale “dhunë në familje”.

Dy ditë më pas, Prokurori i Shtetit, sipas njoftimit, kishte ngritur aktakuzë ndaj tij dhe kishte kërkuar që t’i caktohej masa e paraburgimit.

“Po ashtu, më datë 04.08.2024, në Gjykatën Themelore në Prishtinë - dega në Fushë Kosovës, është mbajtur shqyrtimi fillestar në këtë çështje penale, ku Prokurori i Shtetit gjatë kësaj seance, duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore të të pandehurit si dhe faktin se i pandehuri ka edhe një adresë tjetër të vendbanimit, ka propozuar masën e arrestit shtëpiak”, u tha në njoftim.

Prokuroria tha po ashtu se Gjykata refuzoi kërkesën për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, “ashtu që ndaj të pandehurit I.A, është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kritikuar autoritetet e drejtësisë për neglizhencë, pasi i dyshuari për plagosjen e gruas në Fushë Kosovë ishte recidivist.

“Gjithnjë po kërkohet një arsye që dhunuesi mos të përballet me pasojat. Këtë rast gjendja shëndetësore e tij. Kjo neglizhencë, këto vendime të gabuara e të nxituara po i stimulojnë rastet jo vetëm të dhunës, por edhe vrasjeve”, shkroi ajo në Facebook.

Plagosja në Fushë Kosovë ndodhi vetëm katër ditë pasi një grua nga Graçanica vdiq si pasojë e dhunës, që dyshohet se u shkaktua nga bashkëshorti i saj.

Autoritetet i kanë caktuar masën e paraburgimit të dyshuarit për ngjarjen në Graçanicë, përderisa organizatat që merren me të drejtat e grave dhe politikanët kanë kërkuar që sistemi gjyqësor të shqipojë dënime të ashpra për këto raste.

Në muajin prill, brenda disa ditësh, dy gra u vranë nga bashkëshortët e tyre.

Nga viti 2010 deri në prill të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 57 gra.

Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG