Fusha e grumbullimit të mbeturinave në periferi të Vlorës në Shqipëri, është e përfshirë nga flakët prej pasdites të së enjtes.
Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikëseve të Vlorës, ka qenë e pamundur që zjarri të shuhej.
Në mesditën e së premtes është angazhuar edhe ushtria, në përpjekje e sipër për t’i shuar flakët.
Sipas zjarrfikësve, zjarri në atë zonë vështirë kontrollohet, pasi flakët depërtojnë në brendësi të shtresave të mbetjeve urbane.
Zjarri ka shkaktuar re të mëdha tymi dhe erë të pakëndshme, që janë përhapur në gjithë qytetin e Vlorës.
Zjarret janë përhapur në pikun e sezonit turistik, që sivjet po shoqërohet edhe me debate për rritje të çmimeve apo problematika të trafikut, për shkak të punimeve që po kryhen në disa akse rrugore.
Fusha ku grumbullohen mbetjet urbane ndodhet në lagjen ‘Kushtrimi’ në Vlorë, rreth tre kilometra larg qendrës së qytetit bregdetar. Kjo situatë është përsëritur disa herë në periudha të ndryshme, por veçanërisht gjatë sezonit turistik, kur flakët përhapen lehtësisht, për shkak të temperaturave të larta dhe erës.
Sipas Agjencisë së Mbrojtjes Civile, kjo vatër zjarri është ndër më shqetësueset aktualisht në vend. E vështirë është situata edhe në fshatin Zogaj të bashkisë Tropojë, ku 100 pjesëtarë të forcave të armatosura u janë bashkuar përpjekjeve dhe kapaciteteve të pushtetit vendor.
Në luftim të zjarreve në atë pjesë janë angazhuar edhe tre helikopterë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, si dhe një ekip nga Kosova.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, ka thënë të enjten se, 1.300 zjarrfikës në gjithë vendin nuk e përballojnë situatën e zjarreve.
“Zjarret janë të qëllimshme dhe vijnë nga dora e njeriut, në shumicën e rasteve. Dëmet nga zjarret janë të mëdha në shumë pjesë të territorit, forcat zjarrfikëse kanë arritur të mbrojnë shtëpitë dhe jetën e qytetarëve, por në pyje, kullota, ullinj dhe pemëtari të tjera, ka dëme të mëdha. Është e pamundur që 1.300 zjarrfikës në shkallë vendi të përballojnë situatat e zjarreve. Duhet një solidarizim me forcat zjarrfikëse”, ka thënë ai.
Agjencia e Mbrojtjes Civile në Shqipëri ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit janë izoluar dhe shuar 17 vatra zjarri.