Ndërlidhjet

Fundi i qarkullimit të veturave të paregjistruara në veri


Veriu i Mitrovicës
Veriu i Mitrovicës

Pas gati se 2 dekada, që nga dita e hënë, Policia e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme ligjore që në veri të vendit të mos mund të qarkullojnë më automjetet e paregjistruara, konfirmojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Zheljko Bojiq, shefi i operativës i drejtorisë rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e veriut, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar faktin që në katër komunat veriore të Kosovës, në komunikacion qarkullon një numër i madh i automjeteve të importuara nga jashtë, pa dokumentet e nevojshme për qarkullim, me defekte teknike dhe pa përgatitjen që është e nevojshme të posedohet.

“Policia, që nga 24 shtator do të nis të zbatojë planin operativ, që parasheh ndërmarrjen e masave policore në të gjitha komunat e zonës së përgjegjësisë së policisë rajonale të veriut të Mitrovicës. Me atë plan është paraparë që automjetet me defekte teknike - e automjete të tilla të caktuara shfrytëzohen madje edhe si taksi apo për bartjen e udhëtarëve dhe me këtë vihet në pikëpyetje edhe siguria e udhëtarëve - policia do t’i konfiskojë dhe do t’i shkyçë nga qarkullimi”, ka thënë Bojiq.

Ai ka shtuar se masat e tilla janë të domosdoshme dhe ato do të ndërmerren, para së gjithash, për një siguri më të lartë për qytetarët, e në veçanti për fëmijët, për të ulur numrin e fatkeqësive në komunikacion dhe për masa tjera parandaluese, si dhe për rritjen e sigurisë në përgjithësi të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.

Megjithatë, sipas tij, policia nuk posedon me të dhëna për numrin e automjeteve të paregjistruara. Por, sipas tij, automjetet e tilla më nuk do të mund të qarkullojnë dhe nëse ato hasen, do të konfiskohen. Siç ka thënë Bojiq, në raste se do të ketë rezistencë eventuale nga ngasësit e automjeteve të paregjistruara, do të ndërmerren të gjitha masat ligjore.

Dushan Radakoviq nga Qendra për përfaqësim të kulturës demokratike, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë është koha e fundit që masat e tilla të policisë të zbatohen me vepra, marrë parasysh që një numër i madh i taksistëve shërbehen me automjete të tilla.

“Qyteti është i vogël, sidomos nëse flasim për Mitrovicën e Veriut dhe nuk kemi hapësirë për funksionim normal. Ju mund të shihni se si të gjitha parqet, të gjitha vendet nëpër të cilat duhet të kalojmë, shëtitoret, ana e majtë e rrugës së re ‘Lola Ribar’ tashmë është përplot me automjete të parkuara. Supozohet që mbi 30 për qind të automjeteve që qarkullojnë në veri, janë pa regjistrim”, tha Radakoviq.

Sipas tij, numri i atyre që vozisin pa leje është më i vogël se sa i atyre që vozisin vetura të paregjistruara.

Vendimi për ndalimin e qarkullimit të automjeteve pa regjistrim, Radakoviq e sheh edhe si zgjidhje për hapësirat për parkim, marrë parasysh që numri i automjeteve do të zvogëlohet. Pohimet e caktuara se nuk është momenti ekonomik për masa të tilla, sipas tij, nuk e arsyetojnë vozitjen e veturave të paregjistruara.

“Kjo është që të kesh favore në bazë të asaj që të shkelet ligji e të mos flasim për sigurinë. Kemi pasur raste në rrugën Mitrovicë - Zveçan, ku njerëzit kanë pësuar dhe aty kryesisht kanë qenë të përfshira automjetet e paregjistruara. Personalisht, konsideroj që këto masa janë një aspekt pozitiv dhe që qytetarët, të cilët në këtë moment thonë se kjo nuk është e mirë, brenda disa ditësh do ta shohin përmirësimin”, theksoi Radakoviq.

Edhe Policia e Kosovës ka theksuar që për shkak të defekteve teknike të këtyre automjeteve janë nxituar aksidentet në komunikacion, me pasoja të mëdha dhe fatale.

Qytetarët në veri të Kosovës, kryesisht e vlerësojnë si pozitiv vendimin e polici, në kuptimin e zbatimit të masave, ndërkohë që taksistët kanë reaguar në mënyra të ndryshme.

Mladen, një taksist nga Mitrovica e veriut thotë se është i pakënaqur me vendimin që të largohen automjetet e paregjistruara.

“Është dashur që të lihet kohë pak më tepër. Gjatë 20 vjetëve vozitet kështu dhe këta për 3 ditë duan t;i heqin. Është pak veprim i marrë”, tha Mlladen.

Dejan, po ashtu taksist nga Mitrovica e veriut, thotë se duhet të ndërmerren masa ndaj bllokuesve tjerë të hapësirës, para se të ndërmerren masa ndaj automjeteve pa regjistrim.

“Së pari duhet të zgjidhet çështja e hapësirës ku njerëzit duhet t’i parkojnë automjetet. Kanë bërë ndërtesën me 40 banesa dhe pa asnjë hapësirë për parkim. Së pari kjo duhet të zgjidhet e më pas kjo çështja e automjeteve”, tha Dejan.

Ndërkaq, Dragan Milovanoviq, qytetarë i Mitrovicë së veriut thotë se e mbështetë vendimin e policisë për automjetet e paregjistruara.

“Është mirë që t’i largojnë nga rruga, sepse janë shumë. Duhet lëshuar hapësira për parkim për automjetet e regjistruara. Kështu është ën gjithë botën”, tha Milovanoviq

Por, ndryshe e sheh situatën Bozho Bogunoviq.

“Kjo nuk do të jetë e mirë për të varfrit, sepse ato automjete janë blerë me çmim të lirë. Të pasurit, kanë para dhe do t’i regjistrojnë. Por, në qoftë se ka më pak automjete në rrugë, siguria do të jetë më e madhe”, tha Bogunoviq.

Në anën tjetër, ende është duke vazhduar ri-regjistrimi i automjeteve që kanë targa të qyteteve të Kosovës, të cilat i lëshon Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, për tu pajisur me targat RKS dhe KS të cilat i lëshon Ministria e Punëve të Brendshme e Qeverisë së Kosovës.

Por, sipas policisë, në rast se edhe ato automjete nuk posedojnë regjistrim dhe sigurim të vlefshëm, do të ndërmerren masa edhe ndaj tyre.

Përgatiti: Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG