Ndërlidhjet

Frikë dhe dëshirë për fillimin e vitit të ri shkollor


Kosovë: nxënës me maska në gojë si mbrojtje prej COVID-19, duke pritur para shkollë së tyre (14 shtator, 2020).
Kosovë: nxënës me maska në gojë si mbrojtje prej COVID-19, duke pritur para shkollë së tyre (14 shtator, 2020).

Përgatitjeve të përvitshme të prindërve çdo fundverë, për vitin e ri shkollor të fëmijëve të tyre, këtë vit i është shtuar edhe brenga e rrezikut të infektimit me koronavirus. Vjollca Bajraktari nga Prizreni, ka tri vajza. Dy nga to, njëra 17 dhe tjetra 12 vjeçe, presin ta nisin mësimin në shkollë, më 1 shtator.

Vjollca, e cila është vaksinuar me të dyja dozat e vaksinës kundër koronavirusit, thotë se këtë vit ka frikë për shëndetin e vajzave në shkollë, për shkak se ato mund të infektohen me COVID-19, por edhe të bartin infeksionin, sidomos tashmë që një numër i madh i të rinjve po infektohen me variantin Delta.

“Kam frikë për fillimin e vitit të ri shkollor. Unë e kam përfunduar COVID-19, më ka munduar shumë, jam infektuar nga fëmijët, unë nuk kam dalë jashtë hiç, por fëmijët vitin e kaluar e kanë bartë nga shkolla. Kam frikë, por ne prindërit kemi menduar që më 1 shtator të shkojmë në shkolla dhe të interesohemi se a janë dezinfektuar objektet dhe a janë vaksinuar mësimdhënësit”, thotë ajo.

Ajo tregon se vajza e dytë, që është 17 vjeçe, do të vaksinohet, por Vjollca tregon se pret që ajo vetë këtë proces ta përfundojë me dëshirë dhe jo të obligohet.

“Unë po pres që ajo vullnetarisht të shkojë, vetë të shprehë gatishmërinë për vaksinim jo ta obligojmë ne si prindër. Ajo është e njoftuar për rrezikun sepse dëgjon për çdo ditë biseda nga ne, por edhe lexon në internet. Besoj se është e gatshme, por po pret”, thekson Bajraktari për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, nga vitet e tjera para fillimit të procesit mësimor, po ndihet edhe Kushtrim Bekteshi, profesor i sociologjisë në gjimnazin ”Sami Frashëri” në Prishtinë. Ai është vaksinuar me dozën e parë të vaksinës, kurse terminin për dozën e dytë e ka të caktuar për javën e ardhshme. Bekteshi dëshiron që nxënësit mësimin ta fillojnë me prezencë fizike në shkolla. Megjithatë, thekson se frika nga infektimet e nxënësve nga profesorët si dhe anasjelltas dhe përgjegjësia për mësimdhënie, do të ndikojnë në procesin mësimor.

“Çështja e mësimdhënies në përgjithësi kërkon përkushtim të jashtëzakonshëm, e tash kur e kemi edhe frikën prej të cilës po kanoset një masë e madhe e njerëzve, përveç atyre që merren me teori konspirative, që besoj se janë të paktë në numër, të gjithë të tjetrët e kanë një frikë. Dhe tashmë kur kombinohet frika dhe përgjegjësia që bartim si mësimdhënës, besoj se do ta vështirësojë bukur shumë procesin mësimor”, thekson Bekteshi.

Drejtori i shkollës fillore “Pavarësia” në Prishtinë, Shefki Rusinovci, tregon për Radion Evropa e Lirë, se janë në përfundim të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor me praninë e nxënësve në shkollë. Përveç përgatitjeve teknike dhe dezinfektimit të objektit, ai shprehet se 80 për qind e punonjësve arsimorë në këtë shkollë, tashmë janë vaksinuar së paku me njërën dozë të vaksinës kundër koronavirusit. Mosvaksinimin e të gjithë stafit, ai e arsyeton me kohën e pushimeve.

“Sepse po të ishte kohë e punës, besoj që do të vaksinoheshin të gjithë. Ka pak neglizhencë, por asnjë prej tyre deri më tani nuk ka deklaruar se refuzon të vaksinohet. Teknikisht, do të ishte shumë më lehtë organizimi i vaksinimit të mësimdhënësve, nëse do të ishte një qendër e veçantë për vaksinim të mësimdhënësve”, thotë ai.

Edhe Vjollca Bajraktari, dëshiron që vajzat e saj, gjatë këtij viti shkollor, mësimet t'i ndjekin në klasë dhe jo online, pasi ajo nuk ka qenë e kënaqur vitin e kaluar, gjatë periudhës kur vajzat e saj mësimin e kanë zhvilluar online.

Në Kosovë, viti i ri shkollor zyrtarisht fillon më 1 shtator. Por, ditëve të fundit është rritur dukshëm numri i të infektuarve, sidomos te fëmijët. Autoritetet shëndetësore të enjten (19 gusht) kanë regjistruar tetë viktima dhe 2.236 raste me COVID-19. Nga kjo shifër, 194 janë persona të moshës 10 deri në 19 vjeç, kurse 37 fëmijë nga mosha 0 deri në 9 vjeç.

Në bazë të trendit të rritjes së numrit të të infektuarave me variantin Delta, infektologu Xhevat Demiri, njëherësh pronar i Poliklinikës Shëndetësore “Terapia” në Gjilan, e vlerëson të pamundur fillimin e vitit të ri shkollor me prezencë të nxënësve në shkolla. Ai shprehet se grumbullimi i nxënësve do të rrisë edhe më shumë numrin e të infektuarve.

“Për të vazhduar mësimin në kushte normale, duhet që të vaksinohen pjesa më e madhe e mësimdhënësve, por edhe fëmijët mbi 14 vjeç dhe respektimi i distancës, higjienës dhe mbajtja e maskës. Në të kundërtën, nëse vazhdon trendi i rritjes, vlerësoj se nuk ka asnjë mundësi të fillohet procesi mësimor në shkolla”, thekson ai.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) deri më tani nuk ka marrë ndonjë vendim përfundimtar se në çfarë forme do të fillojë mësimi, por për Radion Evropa e Lirë, kanë thënë se “MASHTI është duke planifikuar që viti i ri shkollor të fillojë me pjesëmarrje fizike në shkolla dhe me mësim të rregullt”.

Për këtë MASHTI u ka bërë thirrje të gjithë punëtorëve të arsimit, përfshirë atyre të nivelit parauniversitar dhe të arsimit të lartë që të vaksinohen. Vetëm në sistemin arsimit paraunivesritar, janë të përfshirë më shumë se 23 mijë mësimdhënës.

Por, sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, numri i stafit arsimor të vaksinuar, përfshirë mësimdhënësit në arsimin parauniversitar, në arsimin e lartë, por edhe studentë, është 55.094 derisa dy javë më parë kjo shifër ka qenë 29.878.

Që prej fundit të marsit 2021, kur Kosova nisi fushatën e vaksinimit, mbi 221 mijë persona janë vaksinuar me të dy dozat e vaksinës, kurse 423 mijë persona janë vaksinuar me dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG