Ligjvënësit francezë kanë votuar për rrëzimin e Qeverisë së kryeministrit Michel Barnier, vetëm tre muaj pasi ai mori pushtetin.
Pas kalimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, është thelluar kriza politike në Francë.
Qeveria e kryeministrit Michel Barnier, është e para që shkarkohet me votë mosbesimi në 60 vjetët e fundit.
Barnier ishte bërë kryeministër pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën gjatë verës, që rezultuan me paqartësi, pasi asnjë parti nuk fitoi shumicën absolute dhe ekstremi i djathtë kishte rol vendimtar në mbijetesën e Qeverisë.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tani duhet të zgjedhë një pasardhës të Barnierit, teksa mandati i tij presidencial përfundon pas dy vjetësh.
Asambleja Kombëtare debatoi për mocionin e ngritur nga e majta, që kishte mosmarrëveshje me Qeverinë sa i përket buxhetit për vitin e ardhshëm.
Mocioni u mbështet nga ekstremi i djathtë dhe 331 deputetë në Parlamentin prej 577 ulësesh, votuan për rrëzimin e Qeverisë.
Kryetari i Parlamentit, Yael Braun-Pivet, konfirmoi se Barnier tani duhet “të dorëzojë dorëheqjen” te Macroni dhe e mbylli seancën.
Macron u kthye në Paris disa orë para se të votohej mocioni, pasi përmbylli vizitën treditore në Arabinë Saudite.
Një ditë më herët ai akuzoi ekstremin e djathtë të Marine Le Pen për “cinizëm” për shkak të mbështetjes së ofruar për mocionin e mosbesimit.
Sipas ligjeve, Macron nuk mund të shpallë zgjedhje të reja brenda një viti, pasi votimet u mbajtën në verë, duke bërë që presidentit francez t’i zvogëlohen opsionet për tejkalimin e krizës politike.
Laurent Wauquiez, kreu i deputetëve të ekstremit të djathtë në Parlament, tha se ekstremi i djathtë dhe ai i majtë mbajnë përgjegjësinë për mocionin e mosbesimit, që “do ta zhysë shtetin në paqëndrueshmëri”.
Disa kanë sugjeruar se vetë Macron duhet të japë dorëheqje, në mënyrë që të tejkalohet kriza. Por, Macron ka refuzuar këto thirrje.
Eric Coquerel, deputet i ekstremit të majtë, tha se mocioni kundër Barnierit do të jetë goditje e rëndë për mandatin presidencial të Macronit.
Franca po përgatitet për greva të punëtorëve të sektorit publik, duke rrezikuar mbylljen e shkollave dhe të shërbimeve të trafikut ajror dhe hekurudhor.
Disa vëzhgues kanë sugjeruar se Le Pen, 56 vjeç, nga Tubimi Kombëtar, po synon që nëpërmjet rrëzimit të Qeverisë të Barnierit, të rrëzojë Macronin nga pushteti para se t’i përfundojë mandati.
Le Pen po përballet me gjykim lidhur me akuza për përvetësim. Nëse gjendet fajtore në mars, kur pritet të shpallet vendimi për të, asaj mund t’i ndalohet që të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të Francës.
Por, nëse Macron do të largohej nga posti i presidentit para se t’i përfundojë mandati, atëherë zgjedhjet mund të mbahen brenda një muaji, potencialisht para një vendimi të gjykatës për Le Pen.
Ka pak kandidatë të mundshëm për kryeministër në Francë, por ministri i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu, dhe aleati i ngushtë i Macronit, Francois Bayrou, janë emra të mundshëm që mund ta zëvendësojnë Barnierin.
Agjencia AFP, duke u thirrur në disa burime, raportoi se Macron pritet të emërojë shumë shpejt një kryeministër të ri.