Vapa e madhe nëpër Evropë, sulmet raketore ruse në vendbanimet ukrainase dhe shënimi i Ashures nga myslimanët shiitë janë tri nga ngjarjet e javës që lamë pas, prej nga raporton Radio Evropa e Lirë dhe sjell fotografi të përzgjedhura. (Përgatiti: Trim Haliti)
Fotografitë e javës

1
Gazetari i të përditshmes amerikane, Wall Street Journal, Evan Gershkovich, duke qëndruar prapa një zone të izoluar prej xhami, në një gjykatë në Jekaterinburg, Rusi, dhe duke dëgjuar vendimin në rastin kundër tij. Më 19 korrik, një gjyq rus e dënoi Gershkovichin mbi akuzat për spiunazh, të cilat punëdhënësi i tij dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë hedhur poshtë si të fabrikuara. Ai u dënua me 16 vjet burgim pas një gjyqi të fshehtë dhe të shpejtë.

2
Një pamje e realizuar përmes dronit që shfaq fillimin e garës së anijeve me vela "Blue Ribbon", përreth liqenit Balaton, në Hungari, më 18 korrik.

3
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 15 korrik ia dorëzoi flamurin shtetëror ekipit olimpik të Kosovës, që do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Parisi 2024. Të pranishëm në ceremoni ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zyrtarë tjerë shtetërorë dhe ambasadorë të Perëndimit. Krerët shtetërorë u uruan sukses lojtarëve dhe ua rikujtuan që i gjithë populli është me ta. Këtë vit, Kosova përfaqësohet me nëntë sportistë.

4
Barinjtë afganë duke kullotur bagëtitë e tyre gjatë perëndimit, në distriktin Dand, në provincën e Kandaharit, Afganistan, më 14 korrik.