Ndërlidhjet

Protestuesit shpërndahen dhunshëm, diplomatët kritikojnë Qeverinë gjeorgjiane

E përditësuar

Më shumë se 100 diplomatë gjeorgjianë kanë kritikuar Qeverinë se ka ndalur bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pasi forcat e sigurisë dhunshëm shpërndan protestuesit dhe gazetarët gjatë një tubimi në Tbilisi për këtë çështje.

Më shumë se 30 persona janë hospitalizuar më 29 nëntor, pasi Policia përdori gaz lotsjellës, topa uji dhe rrahu protestuesit, teksa mijëra persona u mblodhën për të shprehur zemërimin me njoftimin e bërë nga kryeministri Irakli Kobakhidze se Qeveria e tij i ka pezulluar bisedimet për anëtarësim në BE deri më 2028.

Ministria e Brendshme tha se 43 persona janë arrestuar “si rezultat i veprimeve të paligjshme dhe të dhunshme”, ndërkaq Parlamenti ka rritur nivelin e sigurisë në maksimum.

Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, më shumë se 100 diplomatë gjeorgjianë nënshkruan një letër të hapur duke kritikuar ndryshimin e politikës, duke thënë se është shkelur Kushtetuta, ku shprehet zotimi për anëtarësim në BE.

“Pengimi i procesit të negociatave të anëtarësimit do të çojë në izolimin e shtetit”, shkruan ata.

“Pa mbështetjen e partnerëve perëndimorë, Gjeorgjia qëndron para kërcënimeve që janë intensifikuar, në sfodin e proceseve që po vazhdojnë në mjedisin ndërkombëtar dhe të sigurisë”.

Gjeorgjia është duke u përballur me trazira prej zgjedhjeve parlamentare në tetor – të cilat i fitoi partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane – por me opozitën dhe qeveritë perëndimore që argumentuan se votimi u përshkrua me shkelje dhe me ndikim rus.

Protesta më të vogla pro Bashkimit Evropian kanë shpërthyer edhe në qytete si Batumi, Gori, Kutaisi dhe Zugadidi.

Mëngjesin e së premtes, policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji kundër demonstruesve paqësorë. Shtypja policore vazhdoi gjatë gjithë mëngjesit, me oficerë të maskuar që qëllonin me plumba gome dhe rrihnin brutalisht protestuesit dhe gazetarët.

Një gazetar i Shërbimit gjeorgjian të REL-it, Davit Tsagareli, u godit me grushte dhe u hodh përtokë nga një oficer policie derisa po raportonte drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes.

Më herët, REL-i e kishte xhiruar një oficer policie duke e goditur në mënyrë të përsëritur në kokë një gazetar të TV Formula. Pas rrëzimit të gazetarit përtokë, oficeri u largua nga vendi i ngjarjes. Gazetari u shtrua në spital me lëndime në fytyrë dhe kokë.

Davit Tsagareli, gazetar i Shërbimit gjeorgjian të REL-it, u rrah nga policia.
Davit Tsagareli, gazetar i Shërbimit gjeorgjian të REL-it, u rrah nga policia.

Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, e cila është kritike e ashpër e partisë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane, u bashkua me protestën në Tbilisi më 28 nëntor, duke shfaqur solidaritet me demonstruesit.

"Unë jam me këta njerëz. Rezistenca ka nisur dhe nuk do të ndalet derisa të kemi zgjedhje të reja", u tha ajo gazetarëve.

Ajo gjithashtu i konfrontoi edhe policët, duke u thënë se është "detyra e tyre ta mbronin" sovranitetin e Gjeorgjisë dhe duke i pyetur nëse ata "i shërbejnë Rusisë apo Gjeorgjisë".

Më herët gjatë ditës, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë e cila bën thirrje për zgjedhje të reja legjislative në Gjeorgji dhe për sanksione ndaj anëtarëve të lartë të partisë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane.

Në rezolutë thuhet se rezultati i zgjedhjeve nuk "shërben si përfaqësim i besueshëm i vullnetit të popullit gjeorgjian".

Gjithashtu, rezoluta i kërkon Bashkimit Evropian, i cili e ngriu aplikimin e Gjeorgjisë për anëtarësim muajin e kaluar, të vendosë sanksione ndaj zyrtarëve kryesorë të partisë në pushtet, përfshirë Irakli Kobakhidze.

Gjeorgjia e mori statusin e kandidatit për BE në dhjetor 2023, por marrëdhëniet me Brukselin janë përkeqësuar muajt e fundit, sidomos pas miratimit të ligjit kontrovers për "agjentët e huaj," që kritikët thonë se synon t’i diskreditojë mijëra media dhe grupe të shoqërisë civile si "shërbyes të fuqive të huaja".

Në korrik, Shtetet e Bashkuara i pezulluan më shumë se 95 milionë dollarëve ndihmë për Qeverinë gjeorgjiane.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG