Ndërlidhjet

Lajçak: Këtë javë, fokusi te takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për të zhdukurit


I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tha se fokusi i kësaj jave në Bruksel do të jetë te takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.

Në postimin e bërë në Facebook, Lajçak nuk dha ndonjë datë konkrete për takimin.

Por, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, Andin Hoti, tha se takimi do të mbahet më 15 janar në Bruksel.

Sipas tij, përfaqësues i delegacionit të Kosovës është caktuar Halil Cenaj.

"Takimi ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për personat e zhdukur. Në këtë kontekst, delegacioni ynë do të prezantojë disa kërkesa kyçe, që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për personat e zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat", shkroi Hoti në Facebook.

Kmisioni i Përbashkët është pjesë e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2023, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Megjithatë, zotimet që përfshin ajo - si qasja e plotë në informacione të besueshme, vënia në dispozicion e të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur dhe puna e përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga BE-ja - kanë mbetur pa u zbatuar.

Në takimin e fundit në Bruksel më 17 dhjetor të vitit të kaluar, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, kanë thënë se janë pajtuar për zbatimin e plotë të Deklaratës për personat e zhdukur.

Në atë rast, Bislimi ka konfirmuar se Komisioni i Përbashkët do të fillojë të merret me çështjet në fjalë që nga janari.

“Ka premtime nga Serbia se nuk do të ketë tendenca që të pengohet puna e këtij komisioni në të ardhmen”, ka thënë atëkohë Bislimi.

Petkoviq, në anën tjetër, ka thënë se është ndërmarrë “hapi i fundit i nevojshëm” për çështjen e personave të zhdukur.

“Kemi Deklaratën, kemi rregulloren e punës dhe tani kemi rënë dakord për një komision të përbashkët që do të mbështesë grupin e punës, të cilin, si deri tani, e kryeson Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq”, ka thënë ai.

Sipas Kryqit të Kuq, janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta e viteve 1998/99 në Kosovë - shumica prej tyre shqiptarë.

Kosova dhe Serbia kanë bërë vazhdimisht përgjegjëse njëra-tjetrën për mungesën e përparimit në kërkimin e të zhdukurve.

Varreza e fundit masive është zbuluar në vitin 2020 në vendin e ish-minierës Kizhevak, afër Rashkës, në jug të Serbisë.

Ajo ka qenë varreza e pestë masive që është zbuluar në territorin e Serbisë që nga viti 2001.

Para gjykatave në Serbi, deri më tash, askush nuk është mbajtur përgjegjës për lëvizjen dhe fshehjen e trupave të shqiptarëve të Kosovës.

Ish-shefi i Departamentit të Sigurisë Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, Vllastimir Gjorgjeviq, është dënuar nga gjykata në Hagë me 27 vjet burg, për krime në Kosovë, përfshirë lëvizjen e trupave dhe varrosjen e tyre në varre të fshehta.

Në aktgjykim thuhet se transporti është kryer si pjesë e një operacioni të koordinuar për largimin e dëshmive të krimeve të kryera nga forcat serbe kundër shqiptarëve të Kosovës.

Dënimi i Gjorgjeviqit më vonë është reduktuar në 18 vjet dhe ai po e vuan atë në një burg në Gjermani.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG