Ndërlidhjet

“Pazari im ndikohet nga flamujt”: Dyqanet ngatërrojnë origjinën e produkteve


Një dyqan ushqimor në Prishtinë. Fotografi nga arkivi.
Një dyqan ushqimor në Prishtinë. Fotografi nga arkivi.

Flamuri i Kroacisë nën produktin me origjinë nga Kosova. Ai i Kosovës nën produktin me origjinë nga Serbia. Shumë flamuj me ngjyra bardh e zi. Vende-vende nuk ka fare.

Kështu duken raftet e disa dyqaneve ushqimore në Kosovë, edhe pse me rregulla, produktet duhet ta kenë vendosur pranë flamurin e vendit prej nga vijnë.

Udhëzimi administrativ, i cili e rregullon këtë çështje, ka hyrë në fuqi në vitin 2019.

Sipas tij, flamuri i origjinës së produktit duhet të jetë i vendosur në mënyrë të qartë dhe të jetë gjithherë i dukshëm për konsumatorin.

Flamuj të origjinës së produkteve me ngjyra bardhë e zi.
Flamuj të origjinës së produkteve me ngjyra bardhë e zi.

Në disa dyqane që ka vizituar Radio Evropa e Lirë në Prishtinë, ka vërejtur se ky udhëzim administrativ nuk zbatohet siç duhet.

Këtë e konfirmon edhe Inspektorati i Tregut në Ministrinë e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë së Kosovës, i cili ka shqiptuar disa gjoba për këto shkelje.

Dhjetëra gjoba

Zëvendësi i kryeinspektorit të këtij inspektorati, Naim Hajra, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë vitit të kaluar deri më tash këtë vit, janë shqiptuar 41 gjoba për mosvendosjen e flamurit të origjinës nën produkt, ndërsa janë pranuar 65 ankesa nga konsumatorët.

Në bazë të Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, Hajra thotë se bizneset që nuk e respektojnë udhëzimin administrativ në fjalë, përfshirë mosvendosjen e saktë të flamurit të origjinës së produktit, gjobiten me nga 400 deri në 20.000 euro.

Produkte pa flamur të origjinës.
Produkte pa flamur të origjinës.

Sipas tij, rasti kur flamuri nuk korrespondon me origjinën e vërtetë të produktit është “mashtrim”.

Hajra supozon se numri real i shkeljeve është shumë më i lartë, por se numri i inspektorëve që do t’i verifikonin ato, është shumë i vogël në raport me mijëra bizneset.

“Fatkeqësisht, Inspektorati i Tregut ka aktualisht vetëm tre inspektorë, të cilët merren me kontrollimin e vendosjes ose jo të flamujve të origjinës [së produktit]”, thotë Hajra.

Në raftet e një dyqanii në Prishtinë janë parë produkte pa flamuj të origjinës dhe pa çmime.
Në raftet e një dyqanii në Prishtinë janë parë produkte pa flamuj të origjinës dhe pa çmime.

Gabimisht...

Përfaqësues të dy kompanive në Kosovë, “Interex” dhe “Viva Fresh Store”, në dyqanet e të cilave vërehen ngatërresa me flamuj të origjinës së produktit, nuk iu përgjigjen interesimit të Radios Evropa e Lirë se përse ndodh kjo.

Përfaqësues të bizneseve thonë se udhëzimi administrativ për këtë çështje, është vështirë të zbatohet, por theksojnë se është i rëndësishëm.

“Ky vendim është ngarkesë shtesë për bizneset e Kosovës. Dyqanet e mëdha kanë numër të madh të stafit që mund të kujdeset për vendosjen e flamujve, por kanë edhe qarkullim të madh të produkteve dhe nganjëherë mallrat zhvendosen nga rafti në raft... Mund të ketë edhe gabime që ndodhin”, thotë për Radion Evropa e Lirë Zana Beqiri nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Prishtinë.

Flamuri i Kosovës nën një produkt me origjinë nga Turqia.
Flamuri i Kosovës nën një produkt me origjinë nga Turqia.

Udhëzimi administrativ për origjinën e produkteve ka hyrë në fuqi para më shumë se katër vjetësh - përkatësisht pak kohë pasi Kosova u ka vënë taksë 100% produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Taksa është ndërmarrë si kundërpërgjigje ndaj politikave të këtyre dy vendeve kundër shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në mekanizma dhe organizata ndërkombëtare.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë atëkohë se ky udhëzim administrativ do t’i ndihmojë qytetarët t’i identifikojnë produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina dhe do të ndikojë në promovimin e produkteve vendore.

“Pazari im ndikohet nga flamujt”

Disa qytetarë me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë në Prishtinë, thonë se kanë hasur në produkte që nuk përkojnë me flamurin e origjinës që u është vendosur pranë.

“Për mua ka shumë rëndësi vendosja e famujve të origjinës. I shikoj flamujt dhe e di prej nga e ka origjinën ai produkt. I blej produktet gjermane, angleze dhe ato vendore. Kur është flamuri i Serbisë, nuk e blej”, thotë Hysnije Mulaj.

“I shikoj flamujt dhe pazari im ndikohet nga flamujt. Preferoj të blej prodhim vendor ose prodhim kualitativ, dhe jo të Serbisë. Por, ndodh shpesh që flamujt i vendosin gabim”, thotë Yll Rakovica.

Flamuri i Kosovës nën produktin me origjinë nga Serbia.
Flamuri i Kosovës nën produktin me origjinë nga Serbia.

Serbia, deri vonë, ka qenë ndër shtetet me praninë më të madhe të produkteve të veta në Kosovë.

Nga viti 2018 deri në prill të këtij viti, Serbia ka eksportuar produkte në Kosovë në vlerë prej mbi 1.3 miliard eurosh.

Por, Qeveria e Kosovës i ka ndaluar pothuajse të gjitha importet nga Serbia qysh më 15 qershor, kur forcat serbe kanë arrestuar tre policë të Kosovës.

Kosova importon shumicën e mallrave nga vendet fqinje, por edhe ato të BE-së, pasi industria e prodhimit nuk është shumë e zhvilluar.

Flamuri i Kroacisë i vendosur nën një produkt me origjinë nga Kosova.
Flamuri i Kroacisë i vendosur nën një produkt me origjinë nga Kosova.

Mesatarisht në vit, Kosova importon mallra nga vendet e ndryshme të botës në vlerë prej 5 miliardë eurosh, ndërsa eksporton vlerën e më pak se 1 miliard eurove.

Marrëveshja e Organizatës Botërore të Tregtisë, ku Kosova synon të anëtarësohet, kërkon nga anëtarët e OBT-së që t’i zbatojnë rregullat e tyre të origjinës së produkteve në mënyrë të paanshme, transparente dhe të qëndrueshme. Marrëveshja kërkon gjithashtu që rregullat e origjinës të mos e kufizojnë, shtrembërojnë ose prishin tregtinë ndërkombëtare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG