Ndërlidhjet

Shefi i inteligjencës finlandeze bën thirrje për rritje të vigjilencës për shkak të Rusisë


Rojet kufitare finlandeze duke patrulluar në kufirin mes Finlandës dhe Rusisë. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Rojet kufitare finlandeze duke patrulluar në kufirin mes Finlandës dhe Rusisë. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Reformat e planifikuara në ushtrinë ruse, përkatësisht rritja e numrit të ushtarëve për 30 për qind, paraqesin kërcënim për NATO-n dhe për këtë duhet të rritet vigjilenca. Kështu tha më 16 janar shefi i shërbimit të inteligjencës ushtarake të Finlandës, Pekka Turunen.

Finlanda, që ndan kufirin më të gjatë që Bashkimi Evropian ka me Rusinë, iu bashkua aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s më 2023.

Pas saj, edhe Suedia fqinje iu bashkua aleancës në mars 2024. Që të dy shtetet nordike bënë këtë hap në përgjigje të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Shërbimi i inteligjencës ushtarake, që udhëhiqet nga Turunen, në rishikimin vjetor të publikuar të enjten, tha se Moska ka njoftuar se planifikon të bëjë reforma në ushtrinë e saj në fund të vitit 2026.

“Po, ky është kërcënim për NATO-n, veçmas nëse ky plan zbatohet”, tha Turunen për Reuters, duke shtuar se ai mendon se Rusia ka gjasa reale që të arrijë qëllimet e saj deri në vitin 2030.

“Ne duhet të reagojmë, në kuptimin që ne na duhet të jemi më vigjilentë”.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha dhjetorin e vitit të kaluar se Moska duhet të jetë e gatshme që të luftojë me NATO-n në Evropë në dekadën e ardhshme. Presidenti rus, Vladimir Putin, duke folur në të njëjtin takim, deklaroi se udhëheqësit perëndimorë “thjesht po e frikësojnë popullatën e tyre se ne do të sulmojmë dikë, duke përdorur pretekstin e kërcënimit mitik rus”.

Turunen tha se Rusia synon të rrisë për 30 për qind numrin e trupave të saj, që do të bënte që numri i përgjithshëm i ushtarëve të arrinte në 1.5 milion.

Numri i ushtarëve rusë të vendosur në afërsi të Finlandës mund të dyfishohet apo trefishohet krahasuar me periudhën para nisjes së luftës në Ukrainë, tha Turunen.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG