Ndërlidhjet

Fethullah Gulen, rival i Erdoganit, vdes në SHBA


Fethullah Gulen.
Fethullah Gulen.

Kleriku turk, Fethullah Gulen, ka vdekur në moshën 83-vjeçare në Shtetet e Bashkuara.

Gulen, dikur aleat i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, ishte akuzuar për orkestrimin e grusht shtetit të dështuar në Turqi më 2016.

Disa burime, përfshirë ueb-faqen Herkul, që publikon predikimet e Gulenit, Qeveria turke, CNN Turk dhe Fondacioni për Dialog dhe Arsim - organizatë e lidhur me lëvizjen e Gulenit në Gjermani - konfirmuan më 21 tetor se Guleni kishte vdekur një ditë më parë.

“Mësuesi ynë vdiq më 20 tetor 2024 në orën 21:20 në spitalin ku për një kohë po trajtohej”, tha ueb-faqja Herkul në një postim në X më 21 tetor, duke shtuar se mjekët e tij do të dalin me një deklaratë lidhur me këtë çështje “në orët në vijim”.

Kjo ueb-faqe nuk tregoi se për çfarë po trajtohej Guleni. Ai kishte jetuar në mërgim në SHBA që nga viti 1999 dhe i ishte hequr shtetësia turke më 2017.

CNN Turk citoi nipin e Gulenit, që konfirmoi njoftimin e ueb-faqes Herkul, ndërkaq Ercan Karakoyun, kryetari i Fondacionit për Dialog dhe Arsim, po ashtu tha se Guleni vdiq të dielën.

Grusht shteti i dështuar kundër Erdoganit dhe qeverisë së tij ishte një pikë kthese për shteti. Afër 250 persona u vranë, kur ushtarët e rebeluar rrëmbyen avionë, tanke dhe pajisje të tjera të rënda ushtarake, teksa tentuan të rrëzonin presidentin nga pushteti.

Kjo ngjarje nxiti Qeverinë turke që të shpallte luftë kundër rrjetit të Gulenit – e njohur si Hizmet, që në shqip do të thotë shërbim – duke thënë se ai është përgjegjës për puçin, akuzë e mohuar nga Guleni.

Turqia e konsideron organizatë terroriste lëvizjen Hizmet. Kjo lëvizje ka ndikim dhe kryesisht është e përfshirë në aktivitete arsimore dhe promovon shoqërinë civile.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, duke konfirmuar raportimet e inteligjencës turke, tha se Guleni ka vdekur, duke e përshkruar atë si udhëheqës "të një organizate të errët".

Pas puçit të dështuar, mijëra persona u arrestuan në Turqi dhe tensionet u rritën mes Ankarasë dhe çdo shteti që kishte lidhje me Gulenin, edhe pse shumica e rrjetit të tij ka shkolla private.

Në vitet e fundit, ka pasur raportime që qytetarë turq të akuzuar për lidhje me Gulenin janë arrestuar dhe dërguar në Turqi.

Në mars të vitit 2018, Kosova arrestoi dhe dëboi gjashtë shtetas turq, që kishin punuar në shkollën private “Mehmet Akif” në Prishtinë.

Të gjithë të arrestuarit, ndërkohë, janë përballur me procese gjyqësore në Turqi dhe në fund janë dënuar gjithsej me 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burgim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG