Ndërlidhjet

Fenomeni i rrezikshëm i “fajdeve” në Kosovë


Ilustrim
Ilustrim

Kushtet e vështira ekonomike, normat e larta për kredi, mungesa e parave kesh në treg, janë vetëm disa nga arsyet që bizneset dhe qytetarë të ndryshëm, në raste nevoje për mjete materiale, huazojnë para me normë të lartë të interesit, apo si njihen me termin “fajde”, thonë ekspertë për çështje financiare.

Sipas të dhënave të Policisë se Kosovës, vetëm gjatë vitit të kaluar janë iniciuar për hetim 25 raste si fajde të përcaktuara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kurse gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, janë iniciuar 10 raste, të cilat janë trajtuar sipas procedurave policore dhe ne bashkëpunim me prokuroritë kompetente, thotë për Radion Evropa e Lirë, Daut Hoxha, zëdhënës në Policinë e Kosovës.

Për tu larguar nga ky fenomen, që sipas ekspertit të çështjeve financiare Milazim Abazi, në shumicën e rasteve përfundojnë me fatalitet, organet kompetente duhet të jenë më efikase.

Policia e Kosovës, thotë ai, nuk duhet të qëndrojë pasive karshi këtij aktiviteti të paligjshëm,

“Organet e ndjekjes dhe Prokuroria duhet të jenë të pakompromisë në këtë drejtim. Është keq, që një numër i qytetarëve në Kosovë i njeh personat që japin fajde, kurse Prokuroria nuk e din këtë. Prandaj, organet kompetente duhet të luftojnë këtë fenomen mjaft të dëmshëm për shoqërinë e Kosovës”, thotë Abazi për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, gjatë muajit të kaluar, Policia e Kosovës ka hartuar një plan operativ “Stop fajdes dhe detyrimit” me anë të së cilit synohet identifikimi, parandalimi, hetimi dhe arrestimi i të dyshuarave që në çfarëdo mënyre janë të inkriminuar në fajde dhe detyrim.

Në një nga rastet e fundit, në kuadër të këtij plani, organet e rendit kanë arrestuar dy persona të dyshuar të përfshirë në këtë vepër, ku thuhet se “të njëjtit i kanë dhënë viktimës para me fajde në vlerë prej 1000 euro, ndërsa kanë kërkuar 24 mijë euro, si kamatë në emër të fajdes.

Pas presionit të ushtruar për kthimin e parave, sipas organeve të rendit, viktima gjatë muajit qershor të këtij viti ka tentuar edhe të bëjë vetëvrasje.

Fenomeni i ‘parave me fajde’, thotë Milazim Abazi po sjell pasoja në shoqërinë e përgjithshme. Individë ose grupe të caktuara që huazojnë para me kamata të larta në rast të moskthimit në kohë të huas, në këmbim po marrin biznesin, pronën apo pasuri që është shumë herë më e lartë se detyrimi i marrëveshjes verbale.

Ai shprehet se qytetarët duhet të vetëdijesohen se për huazim të mjeteve financiare ka alternativa tjera ligjore.

“Tashmë ka mundësi të mëdha të financimit të nevojave nga bankat komerciale, institucionet mikrofinanciare dhe organizata të ndryshme dhe nuk ka nevojë qytetari të marrë fajde, pasi janë dukuri kriminale që shkojnë në shkatërrim edhe të familjes edhe të bizneseve”, shprehet Abazi.

Veprimet e tilla ndëshkohen sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas këtij Kodi, kushdo që për vete apo për personin tjetër pranon ose kontrakton një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë, në këmbim të shërbimit për personin tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim prej 5 deri në 12 vjet, varësisht nga vlera e humbjeve të mjeteve financiare ose realizimit të pasurisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG