Eurosporti e ka larguar një komentator veteran të sportit nga detyra si komentator i notit në Lojërat Olimpike Paris 2024, pasi ai kishte bërë komente seksiste për garueset e notit nga Australia.
Gazetari britanik Bob Ballard tha gjatë komentimit drejtpërdrejt, pasi Australia e fitoi medaljen e artë në 4x100 metra stil i lirë në not: “Epo, gratë e përfunduan. Ju e dini se si janë gratë... sorollaten, vënë grim”.
Bashkëkomentatorja e tij, Lizzie Simmonds, e cila garoi për Britaninë në Lojërat Olimpike Londra 2012, i reagoi atij gjatë transmetimit duke i përshkruar komentet e tij si “fyese”.
“Gjatë një segmenti në transmetimin e Eurosportit, komentatori Bob Ballard, bëri një koment të pavend”, tha Eurosporti në një komunikatë të dielën.
“Për këtë, ai është larguar nga detyra e komentatorit menjëherë”.
Eurosporti i mban të drejtat kryesore për transmetimin e Lojërave Olimpike në Evropë dhe ka marrëveshje licencimi me rrjetet publike kombëtare.
Ballard është komentator i kamotshëm i Olimpiadës për BBC-në, e cila ka marrëveshje për të transmetuar një numër të kufizuar ngjarjes olimpike.