I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të mërkurën pas një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, se Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE).
Ai i hodhi poshtë pretendimet e presidentes Osmani se BE-ja po tregon mungesë të qasjes së barabartë në ndërmjetësimin e dialogut.
"Të dyja palët duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë të marrëveshjes, pra nuk është përpjekje e njëanshme që vetëm Kosova t’i marrë ato vendimet e zorshme", tha Escobar.
Osmani tha se është jetike të ketë zbatim të plotë të marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar mes palëve.
“Prandaj, qasja selektive vetëm ndaj neneve të caktuar të marrëveshjes bazike nuk do të ndihmojë, sepse të gjitha nenet kanë rëndësi", tha ajo.
Ajo shtoi se angazhimi dhe roli i Shteteve të Bashkuara mbetet kyç "për një përmbyllje të suksesshme të dialogut që do të dërgonte në një njohje të ndërsjellë, ashtu siç e ka përmendur në letrën e tij të fundit presidenti [amerikan Joe] Biden".
Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve më 27 shkurt të vitit 2023.
Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
BE-ja ka thënë se marrëveshja, e cila edhe pse nuk është nënshkruar është detyrim për palët, ende nuk ka nisur të zbatohet.
Gjatë takimit me Osmanin, Escobar tha se bisedoi edhe për sigurinë dhe se Shtetet e Bashkuara ndihet të shqetësuara pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kur një grup serbësh u përleshën me Policinë e Kosovës, ku u vranë një polic dhe tre sulmues.
"Në takim e patëm një bisedë shumë të sinqertë lidhur me gjendjen e sigurisë. Jemi tepër të shqetësuar për ndarjet e 24 shtatorit. E ftojmë Serbinë që të gjithë ata që janë përgjegjës të dalin para drejtësisë dhe të japin llogari të plotë", tha Escobar.
Përgjegjësinë për atë sulm e mori Millan Radoiçiq - ish nënkryetar i Listës Serbe - i cili e kaloi një ditë në paraburgim në Serbi dhe më pas doli për t’u mbrojtur në liri, por me kushtin që të mos largohet nga Serbia.
Osmani se Kosova do të vazhdojë të punojë me aleatët në mënyrë që “kufiri ynë të jetë i sigurt dhe të parandalohen sulme të tilla”.
Çështja e dinarit serb
Në lidhje me ndalimin e dinarit serb, Escobar tha se ndodhet në Kosovë për të biseduar për mënyrat e gjetjes së një zgjidhjeje.
Presidentja Osmani e përsëriti se kjo çështje duhet të zgjidhet në bashkëpunim me aleatët.
Gjatë vizitës së tij, Escobar është takuar me opozitën dhe përfaqësuesit e komunitetit serb për çështjen e dinarit serb. Ai gjatë së enjtes do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Pas takimit me opozitën, kreu i subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se komunikimi me aleatët strategjikë “është i domosdoshëm për t’i avancuar interesat e Kosovës”.
Ai tha se gjatë takimit me Escobarin kanë biseduar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe për vizionin “për një të ardhme më prosperuese” për shtetin.
“Kosova, çdo fitore dhe çdo sukses në rrugën e çlirimit, pavarësisë dhe shtetndërtimit e ka arritur me SHBA-në, prandaj, partneriteti ynë është i paalternativë edhe në rrugën e së ardhmes drejt integrimit euro-atlantik”, shkroi Krasniqi në rrjetin social Facebook.
Ndërkaq, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se në takim ka kërkuar që të rritet niveli i raporteve dypalëshe Kosovë-SHBA.
“Ka progres, por theksova se është shumë e nevojshme që agjenda e shtetit të Kosovës të shtyhet përpara me përgjegjësi të lartë shtetërore dhe institucionale drejt anëtarësimit në NATO si dhe Qeveria të jetë në bashkëpunim të plotë me aleaten tonë strategjike dhe të përjetshëm, SHBA-në”, shkroi ai në Facebook.
Ndërkaq, pas takimit që zhvilluan me emisarin amerikan, disa politikanë serbë në Kosovë thanë se ishin të "inkurajuar" nga qasja e SHBA-së ndaj vendimeve të fundit të autoriteteve të Kosovës, duke shtuar se kanë marrë garanci nga Escobari se gjërat do të ndryshojnë në favor të komunitetit serb.
Banka Qendrore e Kosovës e filloi zbatimin e një rregulloreje të re nga 1 shkurti, e cila përcakton që vetëm euroja të përdoret për pagesa me para të gatshme, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb.
Escobar, gjatë një bashkëbisedimi të hapur me gazetarë në Bruksel të martën, e quajti “katastrofik” dhe “jokompetent” vendimin e autoriteteve kosovare për të zbatuar këtë rregullore.
Serbia deklaron se ndan miliona euro për serbët në Kosovë dhe ua paguan atyre rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.
Në mungesë të dinarëve në vendbanimet e tyre në Kosovë, serbët e Kosovës të martën udhëtuan dhjetëra kilometra drejt qyteteve serbe në afërsi të kufirit me Kosovën, për t’i tërhequr mjetet që ata pranojnë nga Qeveria e Serbisë.
Escobar i ka përmendur disa arsye pse SHBA-ja nuk pajtohet me mënyrën e zbatimit të rregullores së BQK-së: shpejtësia me të cilën është zbatuar, mungesa e ofrimit të ndonjë alternative për të pranuar paratë, nuk janë kontaktuar komunitetet e prekura prej vendimit, komuniteti ndërkombëtar ka pasur vështirësi që ta bindë Kosovën që të ofrojë ndihmë teknike.
“Qeveria e Kosovës duhet të punojë me komunitetin ndërkombëtar për të gjetur zgjidhje për këtë vendim, që do ta quaja katastrofik dhe madje jokompetent, të zbatimit të vendimit që ka krijuar kaos në ekonominë e Kosovës”.
Escobar ka përsëritur që Shtetet e Bashkuara nuk e kundërshtojnë legjitimitetin e vendimit, mirëpo kanë probleme me mënyrën e zbatimit dhe për ndikimin që ka te komuniteti serb.
Vizita e tij në Prishtinë është pjesë e një turneu tetëditor në vendet si Belgjika, Austria dhe Mali i Zi, të cilin e nisi më 10 mars.