Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se Rusia duhet t’ia kthejë Ukrainës tokat e pushtuara, nëse qëllimi është një paqe e qëndrueshme.
“Nëse rikthehet paqja në Ukrainë, natyrisht, kthimi i territoreve të pushtuara do të jetë çështje shumë e rëndësishme. Kjo gjë pritet”, ka thënë Erdogan në një intervistë për transmetuesin amerikan, PBS.
“Territoret e pushtuara duhet t’i kthehen Ukrainës”, ka thënë Erdogan gjatë intervistës në Nju Jork, duke shtuar se Moska duhet t’ia kthejë “edhe Krimenë pronarëve të ligjshëm”.
Rusia e ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014.
Ankaraja nuk e njeh një gjë të tillë.
Turqia është vend anëtar i NATO-s, por ende mban lidhje të ngushta me Moskën dhe Kievin.
Ky vend ka ndërmjetësuar një marrëveshje për të mundësuar daljen e grurit nga Ukraina drejt pjesës tjetër të botës.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.