Ndërlidhjet

Ngrihet edhe një aktakuzë për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it


Protestues serbë duke u përleshur me pjesëtarë të KFOR-it në Zveçan më 29 maj 2023.
Protestues serbë duke u përleshur me pjesëtarë të KFOR-it në Zveçan më 29 maj 2023.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se ka ngritur aktakuzë ndaj një personi për sulmet ndaj pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, në majin e vitit 2023.

Sipas njoftimit, M.D, dyshohet se më 29 maj të vitit 2023, në bashkëveprim dhe koordinim me të pandehur të tjerë të nacionalitetit serbë nga Kosova, përmes përdorimit të dhunës, armëve dhe mjeteve të forta, kishte sulmuar dhe kanosur pjesëtarët e KFOR-it, të Policisë së Kosovës “duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dëme materiale”.

Prokuroria tha se ka analizuar të dhënat se M.D, kishte marrë pjesë në dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it afër objektit të komunës së Zveçanit.

“Prokurori nga Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor, duke e dënuar sipas ligjit, si dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të këtij rasti penal”, u tha në njoftim.

Dhuna në Zveçan shpërtheu kur serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të majit 2023 që ishin bojkotuar nga ta.

Kosova ka fajësuar Serbinë për ngjarjet e fillimvitit 2023 në Zveçan, duke thënë se ato ishin kryer nga “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.

Por, Serbia e ka mohuar një akuzë të tillë, duke akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se synonte të shtynte serbët “drejt një konflikti me NATO-n”.

Dhjetëra persona janë arrestuar deri më tani për vepra të ngjashme penale në lidhje me sulmin e 29 majit 2023 në Zveçan ndaj ushtarëve të KFOR-it, por shumica e tyre janë liruar për t’u mbrojtur në liri.

Gjatë përleshjeve u lënduan 93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej të cilëve kishin lëndime të rënda.

Për shkak të dhunës në veri majin e vitit të kaluar, por edhe sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit të kaluar, KFOR-i rriti praninë ushtarak në Kosovë.

KFOR-i është përgjegjësi i tretë për sigurinë e Kosovës, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG