Qytetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq dhe Zubin Potok, kanë edhe 12 ditë kohë për mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të komunat e tyre përkatëse, njoftoi ministri i i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi.
Në komunën tjetër veriore, Zveçan, mbledhja e nënshkrimeve nisi më vonë, tha ai, pa treguar kur saktësisht.
Kryetarët shqiptarë u vendosën në zyrat e tyre në katër komunat me shumicë serbe pas zgjedhjeve të kundërshtuara dhe bojkotuara nga serbët lokalë në prill të vitit të kaluar, duke nxitur rritje të tensioneve në atë pjesë të vendit.
Kosova e përpiloi një udhëzim administrativ, i cili u mundësoi qytetarëve të këtyre komunave të kërkojnë shkarkimin e kryetarëve të komunave të tyre përkatëse përmes peticionit.
“Dje kemi pasur takim me diplomatët e QUINT-it dhe BE-së për këtë çështje. Tashmë Qytetarët në veri të vendit në dhjetor kanë nisur kërkesën e tyre të parë dhe janë në proces të mbledhjes së nënshkrimeve. Kemi katër grupe të qytetarëve në veri të vendit që janë autorizuar për mbledhjen e nënshkrimeve”, tha Krasniqi të mërkurën.
Ai tha se qytetarët në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq dhe Zubin Potok e nisën mbledhjen e nënshkrimeve më 22 dhjetor dhe, sipas udhëzimit administrativ, ata kanë kohë deri më 22 janar për t’i mbledhur 20 për qind të nënshkrimeve të trupës votuese në komunat e tyre përkatëse për të qenë i mundur shkarkimi i kryetarit komunal.
Hapat drejt zgjedhjeve, sipas udhëzimit
Udhëzimi administrativ për largim të kryetarit të komunës, i lëshuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, i parasheh këta hapa:
- Kërkesa duhet të bëhet nga i ashtuquajturi grup nismëtar, i cili përbëhet nga tre apo më shumë persona me të drejtë vote në komunën përkatëse.
- Ky grup e njofton kryesuesin e kuvendit komunal për kërkesën në fjalë, dhe pajisjet me dokumentacionin e nevojshëm.
- Më pas, grupit i duhet të mbledhë një minimum prej 20 për qind të nënshkrimeve të qytetarëve me të drejtë vote, me kërkesë për largim të kryetarit.
- Lista me nënshkrime duhet dërguar kryesuesit të kuvendit komunal, e cila më vonë përfundon në Komisionin Qendror Zgjedhor.
- Nëse KQZ-ja vlerëson se kushtet janë përmbushur, organizohen zgjedhjet për largimin e kryetarit.
- Nëse në ato zgjedhje sigurohen 50 për qind plus 1 votë për largim të kryetarit, ai largohet prej funksionit dhe organizohen zgjedhje të reja. Në rast të kundërt, iniciativa dështon. Ajo do të mund të përsëritej vetëm pas një viti.
Duke u bazuar në listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e prillit, i bie që, për ta çuar peticionin përpara, në Mitrovicë të Veriut duhen 3.600 nënshkrime, në Leposaviq 2.600 nënshkrime, në Zveçan 1.400 nënshkrime dhe në Zubin Potok 1.300 nënshkrime.
Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, zgjedhjet e parakohshme për kryetarë mund të mbahen në tri raste:
- nëse kryetari aktual jep dorëheqje
- nëse qytetarët kërkojnë shkarkimin e tij përmes peticionit, dhe
- nëse kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye.