Ndërlidhjet

Ukraina thotë se dronët e saj goditën fabrika avionësh dhe raketash në Rusi


Një ushtarak ukrainas lëshon një dron luftarak nga pozicioni i tij i vijës së parë, pranë qytetit të Pokrovsk, tetor 2024.
Një ushtarak ukrainas lëshon një dron luftarak nga pozicioni i tij i vijës së parë, pranë qytetit të Pokrovsk, tetor 2024.

Ukraina tha të premten se dronët e saj goditën një fabrikë avionësh luftarakë në rajonin e Moskës dhe një fabrikë për prodhimin e raketave në rajonin e Tulës, duke shkaktuar shpërthime dhe zjarre në të dyja.

Ushtria ukrainase tha në Telegram se fabrika e aviacionit në qytetin Lukhovitsi, rreth 135 km në juglindje të Moskës, prodhonte avionë luftarakë MiG.

Fabrika tjetër është Byroja e Projektimit të Instrumenteve, e specializuar në prodhimin e raketave kundërajrore dhe sistemeve të kombinuara raketë-armë.

"Forcat e mbrojtjes po vazhdojnë t’i marrin të gjitha masat për ta minuar potencialin ushtarak dhe ekonomik të pushtuesve rusë dhe për ta detyruar Rusinë ta ndalë agresionin e saj të armatosur kundër Ukrainës", tha ushtria ukrainase.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se 155 dronë ukrainas u rrëzuan midis orës 23:00 të enjten dhe orës 07:00 të së premtes, përfshirë 11 që ia kishin mësyrë Moskës.

Guvernatori i rajonit të Tulës, Dmitry Milyaev, tha në Telegram se një person u vra dhe një tjetër u plagos në një sulm ukrainas në rajon, rreth 200 kilometra në jug të Moskës.

Rusia dhe Ukraina, kanë kryer shpesh sulme ajrore ndaj objektivave larg vijës së frontit, ku luftimet kanë vazhduar për gati tri vjet e gjysmë që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG