Ndërlidhjet

Raportohet se Ukraina lëshoi dronë drejt Moskës dhe fabrikës ruse të armëve


Një pamje e Pallatit të Madh të Kremlinit dhe Kullës së Këmbanave të Ivanit të Madh në Moskë, Rusi. (Fotografi nga arkivi)
Një pamje e Pallatit të Madh të Kremlinit dhe Kullës së Këmbanave të Ivanit të Madh në Moskë, Rusi. (Fotografi nga arkivi)

Raportohet se Ukraina ka lëshuar një numër të madh dronësh drejt Moskës dhe rajoneve perëndimore të Rusisë të dielën. Po ashtu, raportohet për një sulm në një zonë industriale, ku ndodhet një fabrikë e rëndësishme armësh.

Këto sulmet vijnë një ditë pasi dronët ukrainas thuhet se sulmuan një impiant mikroelektronik që është jetik për ushtrinë ruse.

Një ditë më parë, ministrat e Mbrojtjes së Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) e mbështetën rrugën “e pakthyeshme” të Ukrainës drejt anëtarësimit në NATO. Këtë javë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e shpalosi “planin e fitores” para BE-së dhe NATO-s, por nuk ia doli ta marrë ftesën për anëtarësim të menjëhershme siç kërkonte.

Kanali rus në Telegram, Astra, postoi një video që thtoë se shfaq sulmin në zonën industriale në qytetin Dzerzhinsk në rajonin e Nizhni Novgorod të Rusisë.

Në këtë zonë ndodhet Fabrika e Mbrojtjes Sverdlov, një ndërmarrje shtetërore që prodhon eksplozivë, kimikate industriale, detonatorë dhe municion. Nuk është e qartë nëse fabrika, e cila është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, është dëmtuar nga sulmi.

Guvernatori i rajonit të Nizhni Novgorod, Gleb Nikitin, shkroi në një postim në Telegram se sulmi u zmbraps nga sistemet e mbrojtjes ajrore dhe se katër zjarrfikës u plagosën gjatë sulmit.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se 110 dronë u rrëzuan gjatë natës, përfshirë 43 mbi rajonin Kursk, 27 mbi rajonin Lipetsk, 18 mbi rajonin Oriol, tetë mbi rajonin Nizhni Novgorod, gjashtë mbi rajonin Briansk dhe një mbi rajonin e Moskës.

Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, gjithashtu konfirmoi se një dron që po fluturonte drejt kryeqytetit u shkatërrua mbi distriktin Ramenskoi të kryeqytetit.

Zyrtarët ukrainas nuk kanë komentuar mbi sulmin e raportuar me dronë, i cili ndodhi një ditë pas raporteve se dronët ukrainas kishin goditur fabrikën e mikroelektronikës Kremniy El në qytetin Briansk gjatë natës mes 18 dhe 19 tetorit.

Media opozitare ruse Astra raportoi më 19 tetor se dronët ukrainas goditën fabrikën dhe theksoi se ajo është një nga prodhuesit më të mëdhenj të mikroelektronikës në Rusi dhe se Ministria ruse e Mbrojtjes është një nga klientët më të mëdhenj të saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG