Ndërlidhjet

Komuna e Drenasit thotë se zjarri në Golesh është lokalizuar


Zjarri në malin e Goleshit, Drenas, 4 korrik.
Zjarri në malin e Goleshit, Drenas, 4 korrik.

Komuna e Drenasit ka njoftuar se zjarrfikësit kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin në malin e Goleshit, dhe se janë duke e mbajtur nën kontroll në një zjarr tjetër në një fshat të komunës.

Në një shkrim pak para mesnatës të premten, komuna shkroi se “zjarrfikësit janë në vijën e parë të përballjes me flakët që kanë përfshirë disa zona të komunës sonë”.

Goleshi - një mal në Kosovën qendrore me një lartësi mbidetare prej 1.019 metrash – u përfshi nga zjarri të premten gjatë ditës.

Nuk është e qartë çfarë e ka shkaktuar zjarrin në Golesh, por këtë javë Kosova është përballur me temperatura të larta, që kanë arritur deri në 37 gradë celsius.

Nuk është raportuar për të lënduar, ndërsa shkalla e dëme nga zjarri nuk dihet ende.

Komuna e Drenasit tha se zjarrfikësit e saj u ndihmuan nga zjarrfikës nga kryeqyteti Prishtinë për ta lokalizuar zjarrin në malin që ndodhet gjithashtu afër qytetit të Fushë Kosovës dhe Aeroportit Ndërkombëtar Adem Jashari.

“Në ndihmë të zjarrfikësve tanë në Golesh, kanë arritur edhe zjarrfikësit nga Prishtina, duke forcuar përpjekjet për të përballuar situatën dhe shmangur përhapjen e mëtejme të zjarrit”, tha komuna.

Ndërkohë, komuna njoftoi se zjarrfikësit, në bashkëpunim me qytetarët e mobilizuar, e kanë vënë nën kontroll zjarrin në fshatin Gjurgjicë.

“Angazhimi, guximi dhe përkushtimi i tyre janë shembull frymëzimi. Në temperatura të larta dhe kushte të vështira, ata po mbrojnë jetën dhe pronën me vendosmëri të jashtëzakonshme”, shkroi komuna.

Në mars, Kosova u përball me 294 zjarre brenda tri ditëve, sipas Agjencisë së Menaxhimit Emergjent (AME) të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Asokohe, drejtori ekzekutiv i kësaj agjencie, Genc Metaj, kishte thënë se gjendja e zjarreve në Kosovë ishte jashtë “normales”, me shumicën prej atyre zjarreve dyshohej se ishin shkaktuar “nga dora e njeriut”.

Gjatë vitit 2024 në Kosovë ishin regjistruar 94 zjarre, të cilat kishin djegur gjithsej 12.079 hektarë pyje dhe shkurre, sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje.

Një zjarr i madh që u dogj për afro 10 ditë në Prevallë në jug të Kosovës - vendpushimin për skijim dhe fshat turistik - dëmtoi sipërfaqe të mëdha të malit.

Shuarja e zjarrit në këtë fshat turistik të Kosovës u më e mundur vetëm me ndërhyrjen nga ajri. Helikopterët e KFOR-it ndihmuan në shuarjen e zjarrit në pjesën më të madhe të zjarreve.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG